Grabiti bankën e Tropojës në 1998, kërkon lirinë
TIRANE – Gjykata e Tiranës do të vendosë të mërkurën për lirimin apo jo nga qelitë e burgut të Petrit Brahajt, në ngarkim të cilit rëndon dënimi me 10 vjet burg për vjedhjen e Bankës së Tropojës në vitin 1998. Togat e zeza të gjykatës caktuan datën 29 korrik datën kur kërkesa e Brahajt me objekt “lirim të burgosurit” do të shqyrtohet nga gjyqtari Ilir Çeliku. Kërkesa e të dënuarit Brahaj u depozitua pak ditë më parë në Gjykatën e kryeqytetit. Në kërkesë Petrit Brahaj pretendon se është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ka të pamundur të jetojë në qeli. Brahaj u dënuar në vitin 2005 në mungesë nga Gjykata e Apelit Shkodër, vendim ku u la në fuqi dënimi me 10 vjet dhënë nga Gjykata e Tropojës. Brahaj iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga zyra e Interpol Tiranës në muajin janar, pasi u ekstradua nga Franca ku ishte arrestuar rreth një vit më parë. Si pasojë e një atentati nga tij në 20 gusht të vitit 2001 ai mori plagë të rënda në trup. Në atentat ai pësoi edhe një dëmtim në shtyllën kurrizore, prej së cilës aktualisht ai lëviz me karrige me rrota. a.b