E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykim i shkurtuar për të pandehurit e "Matrix"

Katërmbëdhjetë të pandehurit e kapur nga operacioni policor i koduar "Matrix 4" kanë kërkuar gjykim të shkurtuar në seancën e djeshme, zhvilluar në Gjykatën e Tiranës. Kërkesa është dorëzuar pranë trupit gjykues nga avokatët mbrojtës të tyre, ndërsa për të pandehurin Endri Mezuraj është kërkuar veçimi i çështjes nga të tjerët. 15 të pandehurit e kësaj çështjeje, Anil dhe Endrit Gjergjani, Alban Bare, Blerim Abazi, Endri Mezuraj, Enea Çela, Fatmir Borshi, Fatmir Kolmarku, Flamur Gashi, Indrit Abazi, Klajdi Terolli, Kreshnik Luka, Ledjo Doko, Redi Çikani dhe Rei Karapici përballen me akuzat "mashtrim në bashkëpunim të disa personave më shumë se një herë" dhe "falsifikim i letrave me vlerë". Ata u prangosën në fillim të gushtit të vitit të kaluar, në kuadër të operacionit policor të koduar "Matrix 4". Të pandehurit akuzohen se kanë klonuar kartat e kreditit, duke shkaktuar vjedhje në dhjetëra degë bankare të një shume të konsiderueshme. Viktimat e tyre ishin qytetarë të huaj, kodet dhe numrat e llogarive bankare që grupi i adoleshentëve shqiptarë i blinte "online" në internet. Pasi siguronte të dhënat e nevojshme për llogari të qytetarëve evropianë, hakerët shqiptarë klononin kartat e tyre të kreditit dhe me anë të tyre tërhiqnin paratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›