E Diel, 1 Nëntor 2026

Presionet, SHBA mbështet gjyqtarët: Mos u dorëzoni

Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, shpjegoi dje gjatë mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, se në këndvështrimin e qeverisë së tij nuk ka asgjë më të rëndësishme për një shoqëri demokratike, sesa një sistem drejtësie i lirë, i pavarur dhe i ndershëm. Ajo çka u kuptua nga të pranishmit në sallë ka qenë mesazhi i ambasadorit: mos u dorëzoni! Gjatë fjalës, Uidhers e përmendi katër herë fjalën "presion", duke lënë të nënkuptohet se politika ndërhyn në punët e gjyqtarëve. "Më lejoni të jem i qartë mbi çmendoj unë se nënkupton pavarësia e gjyqësorit. Është pavarësia për të vendosur, duke u bazuar vetëm mbi ligjin dhe faktet, të lirë nga ndikimi politik dhe personal. Shqipëria duhet t‘i përkushtohet mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit për të siguruar përparimin e saj demokratik", tha ambasadori, duke shtuar se çfarëdo kanosje ndaj kësaj pavarësie është një hap i qartë prapa. Ai tha se është e rëndësishme që të mos shihet si i korruptuar sistemi i gjykatave, por vetëm ata individë, vetëm ata pak individë në sistemin e gjykatave dhe varet nga ju që ta ruani këtë dallim me anë të autoritetit që keni. "E di që është jashtëzakonisht e vështirë që njerëzit të marrin qëndrime me kurajë në një mjedis politik që u bën presion", shtoi Uidhers, ndërsa foli edhe për raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut.

Raporti
Duke komentuar për herë të parë pas publikimit raportin e Departamentit të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, Uidhers u bëri thirrje atyre që nuk e kanë lexuar raportin, që ta lexojnë vetëm në këtë mënyrë. "Pikëpamja e Departamentit të Shtetit është që vetëm te ligji duhet vënë theksi në Shqipëri, në mënyrë që demokracia të japë plotësisht frytet. Është një deklaratë shumë e qartë, është një deklaratë shumë e fortë dhe ju nxis të gjithëve që nuk keni pasur mundësinë që ta lexoni me kujdes. Mendoj se të gjithë do të shihni që epiqendra e atij raporti është theksi mbi sundimin e ligjit në Shqipëri. Të gjithë më keni dëgjuar të them në shumë raste, në shumë vende, që nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa roli që luan gjyqësori në një demokraci. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa besnikëria ndaj parimeve të Kushtetutës. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa ndarja e pushteteve midis dhe ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisjes. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa pavarësia e gjyqësorit", deklaroi ambasadori, duke shtuar se është një dokument i peshuar mirë, i shqyrtuar, rishikuar dhe modifikuar me kujdes, në mënyrë që të jetë një reflektim sa më i saktë që mund t‘i bëjmë situatës së të drejtave të njeriut për secilin vend të botës. Ai tha gjithashtu se "qeveria ime dhe ambasada ime këtu e mbështesim fort pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe jemi këtu për të ndihmuar në çdo mënyrë që mundemi ruajtjen e asaj pavarësie".

Presioni
Duke iu drejtuar gjyqtarëve që morën pjesë gjatë mbledhjes së KLD-së, Uidhers tha se "ju në këtë sallë ndoshta keni përgjegjësinë më të madhe nga të gjithë". "Shqiptarët e çdo fshati, qyteze, a qyteti, tha ai, mbështeten te të gjithë ju, që të jepni drejtësi dhe të mbroni të drejtat e qytetarëve, për të trajtuar një bujk të varfër njësoj si një pronar të pasur tokash, për të pasur kurajon për t‘u ngritur përpara presionit jo vetëm nga ata me pushtet politik, por ndoshta edhe nga ata që janë pranë jush personalisht". Më tej shtoi se trajtimi i njëjtë i të gjithëve është pikërisht esenca e demokracisë dhe gjykatat tuaja të drejtësisë janë terreni i provës për gjendjen e demokracisë shqiptare. "Për ta përmbushur detyrën tuaj të madhe, duhet të keni kurajë të madhe, kurajë për t‘u ngritur përpara presioneve, kurajë për të marrë vendime të vështira bazuar vetëm mbi ligjin e provat dhe ndoshta më e vështira nga të gjitha, kurajë për të çrrënjosur korrupsionin në radhët tuaja", shtoi ambasadori i shtetit më të fuqishëm në botë. Ai tha se duhet të keni edhe aftësinë për të punuar, për të funksionuar, për t‘i bërë këto korrigjime brenda radhëve tuaja, pa lënë që ato të shndërrohen në garën midis politikanëve dhe forcave politike.

Pavarësia

1- Është pavarësia për të vendosur, duke u bazuar vetëm mbi ligjin dhe faktet, të lirë nga presione politike e personale

2- Shqiptarët e çdo fshati, qyteze, a qyteti mbështeten te të gjithë ju, që të jepni drejtësi dhe të mbroni të drejtat e qytetarëve, për të trajtuar një bujk të varfër njësoj si një pronar të pasur tokash

3- Për ta përmbushur detyrën tuaj të madhe, duhet të keni kurajë të madhe, kurajë për t‘u ngritur përpara presioneve, kurajë për të marrë vendime të vështira, bazuar vetëm mbi ligjin dhe provat

4- E di që është jashtëzakonisht e vështirë që njerëzit të marrin qëndrime me kurajë në një mjedis politik që u bën presion


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›