Spahiu: Gjykatat, ushtrimi i autoritetit shtetëror
Tri javët e fundit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë shtegtoi në analizat e punës njëvjeçare në të gjitha gjykatat e dy shkallëve të para të gjykimit në Shqipëri. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në analizën përmbledhëse, tha se "në vlerësimin tim personal kanë konfirmuar ndjeshmërinë e lartë të gjyqësorit shqiptar, si ndaj problematikave me të cilat ai përballet, ashtu dhe ndaj mundësive të përmirësimit të tyre". Spahiu tha se përshëndesim raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. "Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka adaptuar një praktikë tashmë të konsoliduar, në të cilën iniciativat e grupit të punës të ngritur pranë këtij Këshilli shoqërohen edhe nga opinionet dhe vlerësimet e trupës gjyqësore që ju përfaqësoni. KLD-ja ka konsideruar zërin e gjyqësorit tashmë në disa vendime të tij, siç janë ai mbi procedurat e shortit, apo solemnitetin në gjykim", shtoi Spahiu, duke shtuar se sistemi i drejtësisë është guri i themelit në një shtet, ai është në mënyrë të pashmangshme stacioni i fundit ku marrin drejtim konfliktet e shoqërisë, është forma më statike e ushtrimit të autoritetit shtetëror, që nuk vepron me mandat dhe as ndryshon strategji. "Atje ku padrejtësia riskon të prekë edhe vetë dhënësit e drejtësisë, siç ndodhi tri javë më parë me rastin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, vonesat në zbardhjen e të vërtetës, mund të sjellin dëme të tilla në imazhin e të gjithëve, të cilat më pas nuk ka ligj që t‘i kompensojë", shtoi Spahiu.