E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk vijnë pedagogët, mbyllet universiteti për 420 studentë



PESHKOPI - është mbyllur prej tre ditësh filiali i Universitetit “Aleksandër Moisiu” në qytetin e Peshkopisë. Rreth 420 studentë, të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit, që nga Vlora, Tirana, Durrësi, Korça, Shkodra e rrethe të tjera të vendit, nuk kanë nisur mësimin në auditore, pas përfundimit të sezonit të provimeve. Numri një i këtij institucioni arsimor, Anila Doda, ka vënë në dijeni studentët se ata duhet të largohen nga Dibra për një javë të paktën, derisa të zgjidhjet çështja e pedagogëve, të cilët ndryshe nga herët e tjera nuk kanë udhëtuar drejt këtij qyteti për të dhënë leksione apo seminare. Burimet zyrtare janë shumë të rezervuara. Doda është shprehur se “mes dy sezoneve mund të ketë një periudhë pushimi, por ne kemi gabuar që nuk kemi njoftuar më shpejt studentët që të mos udhëtojnë nga rrethet e largëta të vendit drejt Peshkopisë”. Ndërkohë studentët thonë se shkak për ndaljen e procesit mësimor është bërë mungesa e pedagogëve. Burime jozyrtare thonë se nuk ka pasur kushte normale për stafin e pedagogëve dhe se atyre nuk u janë paguar shpenzimet e udhëtimit, vështirësitë etj. Drejtues të tij thonë se është kërkuar autonomia e tij, pra hapja e një universiteti më vete në Peshkopi. Po ashtu mësohet se janë emëruar nga MASH 18 pedagogë të rinj. Ndërhyrja e dikasterit të arsimit do ta zgjidhë këtë shqetësim për studentët e Dibrës. h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›