Gjykimi i Arid Ukës nis më 31 gusht
Nga Express më 05 gusht 2011 në ora 19:16
Drejtësia gjermane ka njoftuar se kosovari 21-vjeçar, i akuzuar për vrasjen e dy ushtarëve amerikanë, jashtë aeroportit të Frankfurtit, do të dalë para gjyqit në fund të këtij muaji.
Gjykata Shtetërore në Frankfurt tha se gjykimi i Arid Ukës do të nisë më 31 gusht dhe se pritet të përfshijë dhjetë seanca gjyqësore, së bashku me dëshmitë e ushtarëve të plagosur dhe të ekspertëve psikiatrikë.
Uka ngarkohet me dy akuza për vrasje dhe tri për tentim vrasje, në lidhje me sulmin e 2 marsit. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dënim të përjetshëm. Autoritetet thonë se i pandehuri ka pranuar se ka dashur të vrasë ushtarë amerikanë, për shkak të përfshirjes së Shteteve të Bashkuara në Afganistan.