Serbia nuk lëshon pe
Pas shumë deklaratave për shtyp të dhëna nga zyrtarë të ndryshëm të forcave politike në Serbi, më në fund vjen një deklaratë e Beogradit zyrtar, ku theksohet se nuk do të bëhen lëshime kur bëhet fjalë për situatën në veri të Kosovës.
Zëdhënësi i qeverisë serbe, Milivojë Mihajlovic, deklaroi se kryeministri kosovar, Hashim Thaçi po përpiqet të instalojë autoritetin e Prishtinës edhe në Veri, njofton RTK’ja.
“Ai e di mirë se çfarë dëshiron, por këtë e dinë edhe serbët që jetojnë atje. Mendoj se këtu nuk do të ketë lëshime nga qeveria serbe”, ka pohuar Mihajlovic.
Ai nënvizoi se kriza duhet të përfundojë sa më shpejt përmes arritjes së një kompromisi.
Sipas tij, pala serbe do të refuzojë çdo zgjidhje që nuk do të jetë në interesin e saj dhe se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.