“Gjykimi, jo i keq, s’është mirë që hetohemi nga UEFA”
Leonard Karaj
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka vlerësuar pozitivisht punën e arbitrave teksa ka thumbuar presidentin e Tiranës Refik Halili lidhur me hetimin e nisur nga UEFA.Kreu i FSHF-së i bëri deklaratat për median përpara analizës së punës së gjyqtarëve për fazën e parë të këtij edicioni, duke pohuar, se sipas opinionit të tij, gjykimi nuk ka qenë i keq. “Do të shqyrtojmë punën e gjyqtarëve me specialistët, do të korrigjojmë ato që nuk ka shkuar mirë për të pasur gjykime më të mira në të ardhmen. Nëse do të jepja opinionin tim, mendoj se gjykimi gjatë këtij viti nuk ka qenë i keq, nuk ka qenë faktor kryesor në renditjen e skuadrave në klasifikim”, është shprehur Duka. Presidenti përdori terma rutinë në vlerësimin e aktivitetit të “bilbilave”, duke pranuar në një farë mënyre edhe ekzistencën e gabimeve të kryera prej tyre. “Nuk mund të mohoj që ka pasur gabime, por kam bindjen personale se kanë qenë gabime njerëzore. Absolutisht që FSHF ka marrë masa në çdo lloje fushe, kështu edhe për gjyqtarët kur ka gabime, janë marrë masa gjatë gjithë kohës. Sot nuk është dita për të marrë masa. Sot është dita për të analizuar e për të sensibilizuar”, ka vazhduar ai. Gjatë 12 javëve janë zhvilluar në total 72 ndeshje, kanë gjykuar gjithsej 13 gjyqtarë, ku numrin më të madh të ndeshjeve të drejtuar e ka Lorenc Jemini (9 ndeshje), i ndjekur nga Albano Janku dhe Sokol Jareci (8 ndeshje). Gjyqtarët janë akuzuar shpesh nga klubet apo presidentët e tyre për paaftësi në drejtimin e ndeshjeve, por dhe akuza për blerje nga klube të ndryshme. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, akuzoi gjyqtarët se “shiten për dy mijë euro”, ndërkohë që presidenti i nderit i Apolonisë, Koço Kokëdhima hodhi akuza të ashpra në adresë të gjyqtarëve. Ndërkohë presidenti Duka përmendi edhe faktin e hetimit të UEFA-s ndaj Tiranës dhe Vllaznisë duke thumbuar në këtë rast edhe presidentin bardheblu, Refik Halili. “E kam ndjekur me shqetësim hetimin që ka nisur UEFA. Jemi njoftuar prej tyre. Nuk është mirë që ne të jemi nën hetim. Pastaj këto përpjekje të njerëzve për të larguar hetimin nga ata që duhet të hetohen për interesat e veta janë larg vëmendjes sime”, ka përfunduar Duka.