Poezia e Janis Ricos e zbërthyer në imazh
alma mile
Një xhaketë e arnuar me copa poezie, zhaurimë deti, zall, një shishe uzo, një karrige pranë dritares... Kjo ishte bota e poetit grek Janis Ricos, e cila vjen për publikun shqiptar në një mënyrë krejt të veçantë. Pas fjalës erdhi edhe shenja. Kjo është arsyeja pse bota poetike e Janis Ricos vjen edhe përmes arteve pamore. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së poetit grek, Ambasada Greke dhe Instituti i Kulturës Greke në bashkëpunim me disa institucione kulturore në Tiranë, prej 3 ditësh po organizojnë një sërë aktivitetesh.E nisën me fjalën. Aktoret Margarita Xhepa e Ema Andrea, të shoqëruara nga një kuartet muzikor, interpretuan poezitë më të bukura të poetit, ndërsa studiuesit folën për brendinë e tyre. Por një shprehje tërësisht e veçantë e veprës së Ricosit vjen përmes studentëve të Fakultetit të Arteve Pamore, të cilët kanë zbërthyer poezinë e poetit grek përmes imazhit. “Janis Ricos, nën diellin e fjalës” titullohet ekspozita e hapur dje në ambientet e Galerisë “FAP”. Kanë punuar për të kryesisht studentë të Ateliesë Multimedia, por edhe të atelieve të tjera, duke gërshetuar kështu lloje të ndryshme mediumesh. Për realizimin e saj është kujdesur artisti Vladimir Myrtezai, i cili ruan një lidhje të hershme me poezinë e Ricosit. “Në nderim të tij unë kam marrë përsipër që të kryej sipas konceptit tim një borxh të kthyer këtij poeti, një ndërhyrje arti. Qëllimi im është ta rishohim figurën e tij në një dimension të ri, atë të rezonancës si rrethanë arti, apo si një dialog i pandërprerë i një refreni kuptimplotë “Që ne u lindëm për t’u takuar”, thotë Myrtezai. Në të gjithë hapësirën e Galerisë është dhënë bota e Ricosit. Por nuk ka qenë e thjeshtë. Së pari të rinjve u është dashur të shfletojnë, të lexojnë poezitë e të kapin thelbin e jetës së këtij njeriu, një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë greke. Më tej copat janë mbledhur për të dhënë një të tërë. Në sallën kryesore të galerisë projektohen njëra pas tjetrës disa video. E para, titullohet “Sirtaqi i gurëve”, realizuar nga Renato Aliçkolli dhe paraqet dy figurina të krijuara me guralecë, që krah për krahë kërcejnë vallen e Zorbës. Në sfond muzika e njohur dhe mbi zallishtë figurinat që kryejnë të gjitha lëvizjet e valles së famshme. Pedagogu Myrtezai tregon se për të realizuar këtë film prej 3-4 minutash janë realizuar rreth 150 fotografi. Më tej vijon filmi “Daktile” i Entela Hoxhës, e cila ofron një poezi të Ricosit titulluar “Shenja” përmes daktileve, apo gjuhës së njerëzve që nuk flasin e nuk dëgjojnë. Një tjetër krijim është “Suitë e vogël në të kuqe në do maxhor”, një video tingull ku ndjesia që duhet të krijojë poezia, krijohet përmes zhurmave, zogj, pemë, erë, shkrepëse, dyer, hapa... Për të vijuar me “Dritaret e Ricosit” nga Gentiana Meta, nga ku duket një lumë që rrjedh qetësisht dhe një vajzë e zbathur, ulur mbi zallishtë. E aty pranë janë vendosur tre gurë, mbi të cilët janë projektuar imazhet e tre grave të moshuara shamizeza. Të krijojnë ndjesinë e pritjes, por edhe të përjetësisë. Në sallën tjetër, një tavolinë e shtruar të fton të ulesh e të pish një gotë me poetin. Në mure janë varur disa punë të studentëve. “Heshtje” nga Pranvera Nuredini është mbërthimi i atij fraksioni sekonde, ku jeta ndahet nga vdekja. Vetëm një dritare ndan ambientet e një shtëpie nga një varrezë me gurë të bardhë, të heshtur. E kështu me radhë vijojnë të tjera punë që mundohen sado pak nga jeta poetike e njeriut, që la pas si shenjë poezinë. Për realizimin e këtij projekti studentëve u është dashur një kohë e gjatë. Së pari u është dashur të njihen me poezinë e Ricosit, ta ndjejnë atë, ta prekin e pastaj ta përkthejnë në imazh. Në këtë pikë i vjen në ndihmë vetë poeti, jo vetëm përmes poezisë, por edhe vizatimeve të tij. Të gjithë këtë proces pune studentët e kanë fiksuar në celuloid. Një zinxhir i gjatë fotografish, shkrepur gjatë punës, të shoqëron nga hyrja e galerisë, nga njëra sallë në tjetrën, deri në katin e dytë, ku janë ekspozuar një sërë punësh të piktorit Gavril Priftuli, tematika e së cilave afrohet me shpirtin poetik të Ricosit. Nuk ka munguar edhe shpirti i garës në gjithë këtë projekt. Studentëve pjesëmarrës u janë shpërndarë edhe çmime, si një lloj shpërblimi për punën e kryer, por edhe nxitje për projekte të tjera. Kjo atmosferë e veçantë, ku imazhi dhe tingulli ktheheshin në poezi është shijuar nga vizitorët që hynë mbrëmë në “shtëpinë” e Ricosit. Me vete morën zhurmën e detit dhe një katalog me punët e studentëve.