E Hënë, 2 Nëntor 2026

PS, kemi bërë zonë “free” për ca biznese në Shkodër

01/06/2005  PD në katër vitet e ardhshme do ta ulim me 30 për qind volumin e taksave në Shkodër

Partia Socialiste ka bërë të mundur të krijojë në Shkodër një “zonë të lirë“, ku ndërmarrjet e angazhuara nuk paguajnë taksa. “Ne kemi bërë të mundur krijimin e një grupi zinxhir shoqërish që operojnë në fushën e prodhimit dhe janë të përjashtuar nga taksat“, ka thënë Zef Cuni, kandidat i PS–së në rrethin e Shkodrës.

Lajmi është bërë i ditur në një takim të forcave politike me Lidhjen e Gazetarëve Ekonomikë të Shqipërisë, ku përfaqësuesit e PS-së kanë deklaruar se kanë rënë dakord për t’i krijuar shoqërive prodhuese lehtësira fiskale, me qëllim që t’i bëjnë fitimprurëse dhe të mund të përballojnë në një kohë më të vonë konkurrencën. Shoqëritë zinxhir e marrin produktin që në momentin kur prodhohet e deri në përpunimin final dhe nxjerrjen në treg të tij dhe, sipas Cunit, është bërë e mundur që çdo segment i kësaj shoqërie të përjashtohet nga taksat.

Rasti në fjalë është shembull i një vullneti të mirë jo vetëm politik, por dhe fiskal, për të mbështetur me të gjitha mënyrat prodhimin dhe biznesin në një zonë që njeh vetëm degradim. Ndërkohë duket se në Shkodër nuk janë vetëm disa shoqëri që operojnë, por shumë të tilla, që presin të deklarojnë falimentin, ose “migrojnë“ nga Shkodra për të bërë biznes në rrethet e tjera. Ndërkaq, duke folur për politikat fiskale që do të aplikojnë për Shkodrën gjatë katër viteve të ardhshme, në rast se vijnë në pushtet, PS-ja deklaron se nuk do të ketë ulje taksash. “Biznesi nuk ndihmohet duke ulur taksat, sepse atë nuk e kemi në dorë ne në Shkodër, por duke zgjeruar bazën e tatueshme”, ka deklaruar një prej përfaqësuesve të PS–së. Ndërkaq, përfaqësuesja e PD–së ka deklaruar se, në rast se vijnë në pushtet, do të ulë me 30 për qind volumin e taksave për Shkodrën. “Do të bëjmë decentralizim fiskal dhe do të ulim taksat në masën 30 për qind, si dhe do të bëjmë të mundur përjashtimin 3 vjet nga taksat për firmat që operojnë në sektorin agro–ushqimor”, ka premtuar përfaqësuesja e PD–së, duke shkuar përtej krijimit të një zone të lirë vetëm për një grup ndërmarrjesh. Për LSI-në të gjithë ata që marrin të ardhura në nivele minimale, nuk do të paguajnë taksa, siç janë taksat mbi të ardhurat. Nga ana tjetër, PDR-ja ka premtuar se do të eliminojë barrierat fiskale si e vetmja formë me të cilën mund t’i vihet konkretisht në ndihmë biznesit. LZHK-ja ka sqaruar pozicionin e vet, duke bërë të ditur se do të tentojë me programin e saj të rrisë investimet e huaja si një formë që zgjidh më pas të gjitha problemet e biznesit dhe të papunësisë.

Shkodra, partitë nuk dinë as shifrën e papunësisë

Shkodra është qyteti që ka privilegjin të ketë të gjitha mrekullitë e natyrës brenda rrethit të vet. Nga zonat malore, ku gjenden tri pika pushimi, deri në bregdet, i gjen të gjitha llojet e turizmit. Liqeni, lumi, pyje, lagunat, janë të gjitha “prona“ të shkodranëve të varfër. “Nuk kemi për çfarë flasim, kur nuk ka as drita e as rrugë“, thonë gjysma e përfaqësuesve të partive politike që kandidojnë në Shkodër dhe premtojnë se do ta mirëqeverisin në katërvjeçarin e ardhshëm.

Dhe, në fakt, varfëria ekstreme, niveli i lartë i papunësisë, mungesa e infrastrukturave më elementare, bëjnë që asgjë në Shkodër të mos ketë vlerë. Shkodra me të gjitha mrekullitë e saj renditet e fundit në 12 rajonet e vendit. Por ajo që e bën të çuditshme varfërinë e shkodranëve, është fakti se pesë forca politike të mbledhura në një tryezë nga LEGA, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, japin pesë shifra të ndryshme për papunësisë. Kështu, Partia Socialiste është e bindur se papunësia është e lartë dhe lëviz nga 30–40 për qind. Për PD-në, papunësia është akoma më e lartë dhe e tejkalon shifrën e 50 përqindëshit. Për LSI-në dhe LZHK-në duket se papunësia është fenomeni më shumë i përfolur dhe me statistika më informale, por gjithsesi me një nivel të përafërt te 28 dhe 35 përqindëshi. Ndërkaq, PDR-ja mendon se kjo çështje ka dalë nga duart dhe askush nuk mund të tregojë se sa të papunë ka në Shkodër, por në të njëjtën kohë dhe sa të varfër. “Të papunë quhen ata që regjistrohen në zyrën e punës dhe kërkojnë ndihmë“, thotë përfaqësuesi i PS-së, ndërkohë që për PD-në të papunë janë të gjithë ata që duan punë, se nuk kanë me çfarë të ushqehen, edhe pse nuk kanë firmosur në listën e të papunëve. Përballë këtij realiteti, duket se partitë kanë vetëm një premtin në gojë. “Do ulim papunësinë, duke hapur vendet e punës”, kanë premtuar të gjitha forcat politike, duke bërë të njohur dhe programin me të cilin mendojnë të realizojnë premtimin elektoral. Kështu, PD-ja mendon të ulë me 18 për qind papunësinë, ndërkohë që PS-ja ka premtuar se do të hapë fronte pune, duke aktivizuar mbi të gjithë fermerët dhe kjo do të bëjë të mundur uljen me 10 për qind të papunësisë. Për LZHK-në papunësia nuk zhduket me politika, por duke sjellë investitorët të shpenzojnë paratë e tyre në resurset e Shkodrës dhe kjo hap dashje pa dashje vende të reja pune.

Liqeni, të gjithë premtojnë ta bëjnë Park Kombëtar

Liqeni i Shkodrës do të bëhet Park Kombëtar dhe do të shpëtojë nga ndotja dhe erozioni që e gërryen çdo ditë. Të gjitha partitë premtojnë se do të angazhojnë në programin e tyre të turizmit mbrojtjen e Liqenit, për ta bërë gjysmën që i takon Shqipërisë të njëjtë me atë të Malit të Zi. Ndërkaq një pjesë e mirë e partive nuk e dinë nëse Shkodra është Park Kombëtar apo jo. “Liqeni i Shkodrës mbrohet me ligj dhe është zonë e kontrolluar“, ka deklaruar përfaqësuesi i PS–së në Shkodër. Por për PD-në, Liqeni jo vetëm që nuk është i mbrojtur, por nuk është shpallur Park Kombëtar nga socialistët për të bërë të mundur të paktën dhënien e një statusi më të veçantë”. Në rast se ne vijmë në pushtet, do të bëjmë të mundur zbatimin e Projektit XHEF me 5 milionë dollarë, për të shpëtuar Liqenin e Shkodrës“, ka deklaruar përfaqësuesja e PD-së. Për partitë e tjera politike, Liqeni nuk është as më pak e as më shumë se sa një nga prioritetet e turizmit, për të cilën kanë menduar ta ndihmojnë me infrastruktura dhe duke e ruajtur nga ndërtime pa leje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›