E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Kompas", mbetet në burg Arjan Selimi

08/02/2005  TIRANË – Arjan Selimi nuk ka mundur të bindë dje gjyqtarin Gurali Brahimllari për të revokuar masën e sigurimit me burg pa afat. Për gati një orë rresht, avokati Ardian Leka është munduar të krijojë para gjykatës një alibi, në bazë të së cilës, klienti i tij, Arjan Selimi, mbahej në burg pa patur mbi krye asnjë akuzë bindëse. Sipas avokatit, Arjan Selimit nuk i është komunikuar ende akuza e trafikimit të lëndëve narkotike, madje, organi i Prokurorisë nuk ka bërë me të asnjë seancë pyetjesh paraprake në burg. Arrestimi i tij dhe disa personave të tjerë u bë me urdhër të autoriteteve italiane. Të gjitha dokumentet erdhën nga Italia dhe më pas në fshehtësi të plotë, duke patur në skedinë emrat, Prokuroria mori urdhrat e arrestit nga gjykata, për të bërë më pas arrestimin në datën 23 qershor të këtij viti. Në datën 25 qershor, i pandehuri i shoqëruar edhe nga tre shokë të tjerë, që mendohet se janë pjesëtarë të grupit, erdhën para Krimeve të Rënda për të mësuar rreth masës së arrestit. Arjan Selimi tha dje se nuk ka lidhje me akuzën që pretendon Prokuroria. Ndërkohë, prokurori Adnand Xholi nuk ishte dakord me kërkesën e bërë nga avokati Ardian Leka, për të revokuar masën e arrestit nga burg pa afat në detyrim paraqitjeje. Gjyqtari Gurali Brahimllari, i cili dha në qershor masën e arrestit për të pandehurin, ka rrëzuar kërkesën. Për gjyqtarin nuk kanë ndryshuar rrethanat për të lënë të lirë të pandehurin. Po kështu, gjyqtari rrëzoi kërkesën, duke thënë se në akuzë nuk ka lehtësira për Arjan Selimin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›