E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Durrësit bllokon projektin e portit të peshkimit

Ndërtimi i portit të ri të peshkimit në Durrës vazhdon të mbetet peng për shkak të konfliktit të Ministrisë së Mjedisit dhe Bashkisë së Durrësit. Leja e sheshit për ndërtimin e këtij porti është miratuar nga bashkia që në maj të vitit 2004. Por sipas Aleksandër Garulit, këshilltar i ministrit të Mjedisit, ndërtimi po pengohet qëllimisht për interesa politike e personale të kryebashkiakut.
Bllokimi
Këshilltari i ministrit, z. Aleksandër Garuli, gjatë një deklarate për shtyp është shprehur se i gjithë bllokimi bëhet për shkak të interesave të opozitës që mazhoranca të mos zhvillojë Durrësin. "Peshkatarët prej më shumë se 10 vjetësh mbahen me premtimin për ndërtimin e portit. Projekti i Ministrisë së Mjedisit për ngritjen e tij në kalatën zero është mbushur edhe nga peshkatarët, të cilët fajësojnë bashkinë për zvarritje. Anijet e peshkimit ankorohen brenda basenit të portit tregtar, në kushte të vështira dhe të rrezikshme, pranë kalatës së trageteve”, - deklaroi këshilltari i ministrit, z. Aleksandër Garuli.
Aktiviteti
Duke e quajtur pa argument dhe në kundërshtim të plotë me interesat e zhvillimit të qytetit, këshilltari tha: “Kryetari i Bashkisë së Durrësit, në mënyrë absurde, pa asnjë argument, por për interesa të errëta rreth tij, po tenton të pengojë ndërtimin e portit të peshkimit. Ministria e Mjedisit akuzon kryebashkiakun e Durrësit për moszhvillim të mbledhjes së KRT së këtij qyteti, pasi sipas tyre, kjo strukturë kolegjiale do të marrë vendim të drejtë në favor të ndërtimit të portit të peshkimit, pasi dihet që Komisioni i Rregullimit të Territorit të Durrësit është struktura ligjore që vendos për zhvillimin urbanistik të qytetit. Dhe se duke penguar funksionimin e KRT së qytetit, kryebashkiaku është në kundërshtim me ligjin dhe me interesat e qytetarëve. Pavarësisht nga vullneti i keq i kryetarit të Bashkisë së Durrësit për të bllokuar funksionimin e KRT së këtij qyteti, kjo strukturë do funksionojë sipas ligjit dhe jo sipas vullnetit të kryebashkiakut”, - përfundoi Garuli.
Ndërkohë, aktiviteti i peshkimit është i lidhur ngushtë me qytetin e Durrësit që prej krijimit të këtij qyteti. Aktualisht, në këtë sektor, me zënien e peshkut, përpunimin, magazinimin dhe tregtimin e tij janë mbi 4000 të punësuar. Ndërtimi i portit të peshkimit, jashtë portit tregtar, në perëndim të tij, është një projekt i studiuar nga specialistët më të mirë vendas dhe me asistencë të specialistëve të huaj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›