Kontratat:ISKSH: Farmacitë, stop shitjes së barnave pa recetë
Ilaçet në farmaci tani do të shiten vetëm me recetën e mjekut. Asnjë ilaç nuk mund të dalë nga farmacia si për personat që i përfitojnë ato me rimbursim, ashtu edhe me lekë, në rast se nuk kanë recetën e mjekut. Kjo është një pikë e re e shtuar në kontratat e këtij viti të nënshkruara mes ISKSH-së dhe farmacive, e cila synon të reduktojë fenomenin e shitjes së barnave pa recetë. Në rast se shkelet kjo pikë, instituti merr vendim për gjobitjen e farmacisë deri në heqjen e licencës profesionale.
Risitë
Sipas kontratave të lidhura me farmacitë, pacienti në çdo kohë ka të drejtë t’i vihet në dispozicion lista e barnave të rimbursuara si dhe të sqarohet për çdo problem që mund të ketë. Bazuar në kontratë, pacientit i rimbursohet bari i alternativës së parë të listuar në listë sipas kategorisë që i përket me rimbursim të plotë apo me bashkëpagesë.
Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, pas nënshkrimit të kontratave është shprehur: “Në këto kontrata një ndër më kryesorët është detyrimi i farmacisë me të cilën ISKSH lidh kontratë, për të dhënë barnat e listës së rimbursimit vetëm me recetën e mjekut, edhe në rastet kur personi nuk i përfiton ato nga rimbursimi. Kjo pikë është shtuar në kontratë në mënyrë që të evitohet në maksimum fenomeni i shitjes së barnave pa recetë”.
Ndëshkimet
Pjesë e kontratave janë edhe rastet e shkeljeve, ku sipas ISKSH-së, merren masa me gjobë deri në prishje të kontratës dhe në disa raste dhe deri në propozim për heqje licence profesionale kur në farmaci gjendet faturë fiktive, recetë fiktive. Shkelje përbëjnë edh rastet kur farmacia nuk pranon kontrollin e ISKSH-së apo nga kontrolli në farmaci (rast i përsëritur dy herë) nuk gjendet drejtuesi teknik apo farmacisti i lartë i punësuar. Gjithashtu, në rastin kur nga kontrolli me inventarizim i ushtruar në farmaci gjatë periudhës që kjo kontratë është në fuqi, rezultojnë diferenca në plus mbi 200.000 lekë. Nga kontrolli me inventarizim i ushtruar në farmaci gjatë periudhës që kjo kontratë është në fuqi rezultojnë diferenca në minus mbi 600.000 lekë. Në rastet kur vërtetohet se farmacia ka ekzekutuar recetën duke bërë ndryshimin e formë dozës apo principit aktiv të barit të përshkruar në recetë nga mjeku. Në rastet kur nga kontrolli rezulton se farmacia tregton barna të listës së barnave që rimbursohen të pa pajisura me pullën e sigurisë.
Kontratat me farmacitë
Këtë vit, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka përmbyllur procesin e kontraktimit të farmacive në të gjithë vendin, duke lidhur kontrata me 590 farmaci dhe 160 agjenci farmaceutike në zona rurale. Po kështu, janë lidhur kontrata me 43 depo importuese si dhe 46 depo distributorë në shkallë vendi. ISKSH ka lidhur dhe 6 kontrata 3 palësh ISKSH - QSUT- depo Importuese me qëllim realizimin e dhënies të disa barnave me kosto të lartë mjekimi pranë farmacisë se Qendrës Spitalore Universitare Tiranë.