Mbikalimi i Thirrës bllokohet nga dëbora
Ftohja e motit dhe reshjet e dëborës në zonat malore të vendit kanë bllokuar, ndër të tjera, edhe mbikalimin Kalimash-Thirrë, rrugën e shkurtër që lidh dy skajet e tunelit të autostradës. Në mëngjesin e ditës së djeshme, asnjë furgon i linjës Kukës-Tiranë nuk e mori drejtimin e mbikalimit, siç kanë bërë zakonisht që prej dy muajsh kur u mbyll tuneli. Ata ose kthyen mbrapsht, kur panë se maja e malit ishte zbardhur prej dëborës, ose morën rrugën e vjetër të Qafës së Malit. Furgonët e fundit e kaluan majën e malit një natë më parë, në këtë shteg të vështirë, të ndihmuar nga skodat e fuqishme që tërheqin me kavo makinat në një segment të pjerrët kundrejt pagesës prej 500 lekësh. Tek agjencia e udhëtarëve në Kukës, dhjetëra pasagjerë iu drejtuan autobusëve, për herë të parë pas dy muajsh braktisjeje. Autobusët vetëm në të rrallë e bëjnë rrugën e Tiranës, pasi pasagjerët preferojnë të udhëtojnë nga rruga e shkurtër, përkatësisht mbikalimi i Thirrës të përshkuar vetëm nga furgonët dhe autovetura, ndonëse me rrezikshmëri.