Karburantet, ndahen paratë për deputetët
Parlamenti ka miratuar vendimin për ndarjen e normës së karburanteve për deputetët, të cilët tani e tutje do të marrin lekë kesh nga administrata e Kuvendit për të blerë naftën apo benzinën vetë. Sipas vendimit të miratuar mbrëmë nga Kuvendi, është përcaktuar një kuotë lekësh për 12 qarqet e vendit dhe kjo shumë parash do të ndahet më pas për çdo deputet të qarkut. Ende nuk është e qartë se a do të përfitojnë deputetët e opozitës nga këto para dhe nëse jo ku do të përfundojnë lekët që teprojnë. Tirana, meqë është qarku ku nuk ka nevojë për lëvizje të largëta ka përfituar shumën më të vogël të parave përkatësisht 27 mijë lekë të reja. Dibra merr sasinë më të madhe, 57 mijë lekë që do të ndahen për 5 deputetë. Duke qëndruar në veri të vendit, deputetët e Dibrës do të përfitojnë 56 mijë lekë së bashku për të blerë karburant, deputetët e Lezhës do të marrin në dorë 40 mijë lekë të reja, parlamentarët e Shkodrës do të përfitojnë 49 mijë lekë. Në Shqipërinë e Mesme, deputetët e Durrësit do të marrin 37 mijë lekë, ata të Elbasanit do të blejnë karburant me shumën totale të ndarë nga Kuvendi prej 42 mijë lekësh të reja. Ndërkaq, në Jugun e vendit, tre deputetët e Gjirokastrës do të përfitojnë 57 mijë lekë gjithsej për karburant. Por problemi për këtë qark është se dy parlamentarë, përkatësisht Genc Ruli dhe Spiro Ksera janë ministra dhe përfitojnë makinë VIP. Ndërsa deputetët e tjerë të këtij qarku i përkasin opozitës dhe janë Arta Dade, Et‘hem Ruka dhe Vangjel Tavo, të cilat derisa të hyjnë në Parlament s‘kanë gjasa të përfitojnë nga këto para për karburant. Ndërkaq, deputetët e Vlorës përfitojnë 55 mijë lekë gjithsej, parlamentarët e Fierit, edhe pse janë shumë do të marrin vetëm 45 mijë lekë. Parlamentarëve të Korçës u takojnë 53 mijë lekë të reja për naftë e benzinë, ndërsa deputetët e Beratit do të marrin kuotën e barabartë me atë të Fierit, përkatësisht 45 mijë lekë.