Këshilltarët e djathtë padisin kryetarin e bashkisë
Tensioni në Këshillin Bashkiak Patos mbërrin në prokurori. Një grup përfaqësuesish të Këshillit Bashkiak të Patosit, pas një mbledhje dyorëshe me prefektin e Fierit, Bujar Hasaj, iu drejtuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Këshilltarët e PD-së, LSI-së dhe PDI-së kanë ngritur një padi ndaj kryetarit të Bashkisë Patos, Bardhi Meli. Sipas Nimet Musait, kreut të grupit të këshilltarëve të PDI-së në Këshillin Bashkiak Patos, kryebashkiaku paditet, sepse ka mbajtur forcërisht vulën. "Pas mbledhjes së kryer në një mjedis privat këtu në Fier kemi kërkuar vulën nga kryetari i bashkisë. Vula është kërkuar me qëllim legjitimitetin e vendimeve të marra nga më shumë se gjysma e këshillit bashkiak. Kryebashkiaku Bardhi Meli e ka kundërshtuar dhënien e vulës duke thënë se edhe mbledhja jonë ishte jolegjitime", tha Nimet Musai. Ai me disa këshilltarë të tjerë kanë depozituar dje në Prokurorinë e Fierit padinë për shpërdorim të detyrës ndaj Melit. Tensioni dhe përplasjet në Bashkinë e Patosit lindën pas shkëputjes që kryebashkiaku Bardhi Meli bëri nga LSI-ja.
ma.tr.
ma.tr.