Lohan: Sistemi i adresave, shumë problematik
Kreu i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, ka prekur një nga pikat më të dobëta të zhvillimit institucional të vendit, siç është identifikimi dhe sistemi i adresave. "Institucionet shtetërore e kanë të pamundur të komunikojnë me qytetarët dhe anasjellas, pasi në vend mungon një sistem adresash. Në Shqipëri është e pamundur të shkosh në destinacion. Këtu ende adresa përshkruhet me ndërtesat e vjetra, si ish-ekspozita, stadiumi "Dinamo" etj. Këtu banka nuk të gjen dot adresën. Letrat nga jashtë nuk të vijnë, lajmërimet nga institucionet shtetërore gjithashtu. U kërkoj strukturave qeveritare ta krijojnë këtë mjedis të lehtë për shqiptarët dhe jam i sigurt se qeveria do mbetet e angazhuar për këtë, pasi suksesi i këtij projekti varet pikërisht nga qeveria", theksoi Lohan. Ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, deklaroi se janë bërë ndryshime në këtë aspekt. "Ministria e Brendshme ka siguruar të gjitha pajisjet e nevojshme dhe teknologjinë e nevojshme duke mundësuar kështu infrastrukturën e domosdoshme, proces i cili ka kaluar ndërmjet disa etapave", tha Basha. Baza e të dhënave të sistemit të adresave, mbështetur në një hartë dixhitale, u prezantua në një ceremoni të mbajtur dje. Kjo bazë të dhënash është krijuar nga Ministria e Brendshme dhe autoritetet vendore, me ndihmën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, nëpërmjet mbështetjes financiare të BE-së. Ky sistem i ri adresash, me bazë internetin, do të bëjë të mundur regjistrimin e saktë të shtetasve në regjistrin kombëtar të gjendjes civile. Gjithashtu, ai mundëson edhe kërkimin elektronik të adresave. BE-ja ka akorduar 2.5 milionë euro për krijimin e sistemit të adresave dhe 1.5 milionë euro për vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve. Që të dyja këto projekte zbatohen nga prezenca e OSBE-së në Shqipëri.