Zhdukja e Bleonës, rikthehen në operacion forcat policore
KUKES/ JONUZ HALLAçI
Ka rinisur operacioni në kërkim të vogëlushes së humbur Bleona Mata. Ashtu siç deklaroi një ditë më parë në shtëpinë e Zenel Matës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, forca të shumta policie dolën dje në terren. Duke u pajisur dhe me mjete optike ata kanë krehur sërish malin e Koritnikut, sipër fshatit Zapod, në bashkëpunim dhe me 20 forca të shërbimit të emergjencave në prefekturën e Kukësit si dhe me mbështetjen e banorëve. Por, kërkimet e djeshme dështuan sërish, edhe pse operacioni ishte më i detajuar. Fshati Zapod ka plot 11 ditë që e ka humbur qetësinë e tij, pasi jo vetëm 6-vjeçarja është zhdukur pa lënë gjurmë, por nuk dihen shkaqet e humbjes së saj misterioze. Të gjithë jetojnë me fatin e paditur të Bleonës. Banorët e urtë dhe punëtorë, por mjaft të varfër, presin me veshë hapur se çfarë po ndodh. Ata janë bërë njësh me bashkëfshatarin e tyre dhe mësuesin e vjetër Zenel Mata, gjyshi i vajzës. Edhe kryetari i komunës, Dan Kaloshi thotë se banorët janë të gjithë të angazhuar për gjetjen e Bleonës. "Komuna jonë është e tronditur. Policia dhe banorët kanë bërë të pamundurën për gjetjen e saj, por ende nuk kemi gjë konkrete. Ne nuk do të reshtim derisa ta gjejmë Bleonën", thotë Kaloshi. Fshati është në kufi me Kosovën dhe ende ruhen gjurmët e telave me gjemba dhe kazermave ushtarake që ruanin kufirin. Në oborrin e shtëpisë dykatëshe të familjes Mata çdo ditë mblidhen dhjetëra njerëz, të cilët u japin kurajë njerëzve të Bleonës. Zenel Mata gjyshi i Bleonës edhe njëherë u ka bërë thirrje të gjithë atyre që mund të kenë dijeni për vajzën e tij të tregojnë. "U lutem të ma kthejnë ose të më tregojnë se ku është. Nuk kam asgjë me të, do ta kem mik shtëpie. Hyj garant edhe nga ana e shtetit që s'do t'i ndodhë asgjë. Të kthehet vajza, ky është qëllimi ynë. Nuk dua ta di se kush edhe pse e kanë marrë. Gjithçka i kam besuar shtetit, kam besim se shteti mund të bëjë çdo gjë. Jam gati të bëj çdo sakrificë, shes shtëpinë e gjithçka tjetër vetëm Bleonën të ma kthejnë". Gjashtë ditë para se të humbiste, Bleona ka zbritur me familjarët e saj për të bërë një foto për certifikatë. Ajo kishte një shenjë në afërsi të nofullës dhe prindërit kishin mbledhur ca kursime për të bërë operacion. Madje, ndërhyrja do të kryhej pas 2 ditësh në Kosovë. E ëma e vajzës, Blerina, prej 11 ditësh vajton mbi shtratin e së bijës. Në krahë vazhdimisht mban djalin e vogël, i cili nuk di se çfarë ka ndodhur me motrën e tij të madhe me të cilën luante çdo ditë. "Lutemi që ai njeri që e ka marrë me apo pa keqdashje të mos ma keqtrajtojë vajzën dhe të ma sjellë. A ka Zot ai njeri që mban Bleonën, a ka zemër, a ka fëmijë, a është prind? Të vërë dorën në zemër e të na e kthejë", kërkon e ëma.