E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshe nga PS-ja, Koçi: Kartat falas, jo për të gjithë



Kryetari, njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, Petro Koçi, deklaroi dje se nuk pajtohet me qëndrimin e partive të tjera në lidhje me debatin e fundit për kartat e identitetit. Në një komunikim për mediat, Koçi tha se nuk pajtohet me propozimin e PS-së për karta falas për të gjithë. Ai tha se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm për të varfrit. “Do të ishte e papranueshme, - tha Koçi, - për shembull, që edhe deputetët ta merrnin kartën falas”. Sipas tij, një konsultë mes ekspertëve do të zgjidhte të gjitha vështirësitë. “PSV’91 e konsideron debatin ndërpartiak për çmimin e kartave shterpësi dhe rënie të nivelit ideor të klasës politike. Mjafton një konsultë mes ekspertësh për të ardhur në një qëndrim të përbashkët që nxit qytetarin të aplikojë dhe përcakton çmimet e diferencuara për shtresat ekonomikisht të ndryshme të shoqërisë. PSV’91 është kundër retorikës mëshiruese mbi çmimet e kartave. Ne e konsiderojmë me vend thirrjen për mirëkuptim politik dhe sensibilizimin për qytetarët nga ana e Presidentit të Republikës”, - deklaroi Koçi.

LSI, Meta: Jo bashkëpunim me Ramën para zgjedhjeve

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, hodhi poshtë çdo mundësi bashkëpunimi paraelektoral me PS-në. Duke folur për mediat, pas deklaratës së një dite më parë nga Gramoz Ruçi, që Meta mund të bashkëpunojë me PS-në pasi t’i ketë kërkuar falje publikisht Ramës për akuzat, Meta deklaroi se ai drejton një koalicion me të cilin do të mundë PS-në. “Ne drejtojmë një koalicion që do të jetë fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. Ky është mesazhi ynë për t’u gjetur sa më pranë njerëzve që na besojnë”, - deklaroi Meta. Duket se ftohja mes dy partive do të vazhdojë te jetë e pranishme. LSI-ja do të dalë e vetme me koalicionin e saj në zgjedhje, ndërsa pas tyre, bashkëpunimi do të përcaktohet nga rezultati i zgjedhjeve. Deklaratat e Metës erdhën gjatë një takimi me elektoratin e LSI-së. Kreu i LSI-së zhvilloi dje një takim me qindra banorë të komunitetit të Laprakës në Tiranë. Në këtë takim, ku shoqërohej nga krerët e LSI-së së Tiranës, Meta ka shpalosur pjesë të rëndësishme të programit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Meta u shpreh i bindur për suksesin e LSI-së në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse sikurse u shpreh ai, kjo bindje forcohet gjithnjë dhe më shumë kur shikon në takimet e zhvilluara në të gjithë Shqipërinë. “Dhe kjo ndodh natyrshëm, - u shpreh Meta, - sepse LSI-ja është një forcë politike integruese, është një forcë politike, e cila është pranë problemeve dhe shqetësimeve më të mëdha të komunitetit”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›