Zogby: Sondazhi i prillit, PD 38%, PS 36%
Sondazhi i muajit prill nxjerr të majtën me 43 për qind të votave, dhe të djathtën me 39 për qind
Kryetari i opozitës, Edi Rama, gëzon një vlerësim më pozitiv se kundërshtari i tij politik, Sali Berisha
TIRANË- Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe premtimet e qeverisë për rritjen e pagave dhe pensioneve prej nga 1 maji, duket se ka ndikuar pozitivisht në përmirësimin e imazhit të së djathtës tek qytetarët, e cila për muajin prill ka mundur të marrë mbështetjen e shumicës së tyre.
Në këtë përfundim të nxjerrin të dhënat që ka prezantuar dje kompania e njohur amerikane "Zogby", e cila ka publikuar sondazhin e saj të katërt, atë të muajit prill, ku rezulton se demokratët kanë mundur që, pas tre testimeve të para të përmbysin rezultatin dhe të renditen dy pikë para socialistëve.
Më konkretisht, në rast se zgjedhjet parlamentare do të zhvilloheshin në muajin prill, të drejtën për të qeverisur vendin do ta merrte përsëri Partia Demokratike.
Të pyetur se për kë forcë politike do të votonin në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në momentin e testimit, pra gjatë muajit prill, 38 për qind e shqiptarëve kanë deklaruar se do të votonin për Partinë Demokratike.
Faktikisht, PD-ja, në krahasim me sondazhin e një muaji më parë, ka ndërruar vendet me PS-në, pasi shifrat janë po ato. Kështu, nga 36% që kishte marrë gjatë muajit mars, PD-ja ka kaluar në 38%. Ndërsa Partia Socialiste, nga 38 për qind të votave që kishte në muajin mars, në sondazhin e fundit rezulton të ketë zbritur në 36 për qind.
Nga krahasimi edhe me sondazhet e mëparshme, rezulton se PD-ja gëzon një trend pozitiv në rritje, pasi në testimin e parë, atë të muajit janar, ajo kishte marrë vetëm 32 për qind të votave të shqiptarëve të pyetur.
Referuar gjithmonë të dhënave të këtij sondazhi, edhe PD-ja, pavarësisht se gëzon mbështetje më të madhe tek shqiptarët, ajo nuk arrin që të sigurojë një shumicë të duhur për të qeverisur vendin.
Kjo pasi të dhënat e këtij sondazhi e bëjnë situatën tepër të paqartë, pasi, ndërsa si forca të veçanta mbështetjen më të madhe e merr PD-ja, si blloqe politike atë e ka përsëri e ka e majta.
Kjo për vetë faktin se, përveç PD-së, që merr 38 për qind të votave, në spektrin e djathtë vetëm Partia Republikane arrin të marrë 1 për qind të votave, ç'ka i jep këtij krahu në total vetëm 39 për qind të votave.
Më pozitive shihet situata në të majtë, megjithëse edhe ajo nuk mund të sigurojë një shumicë që do t'i garantonte qeverisjen. Kështu, përveç 36 për qind të votave që merr PS-ja, në këtë sondazh ka pësuar një rritje të lehtë me 1 pikë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ndërsa G99-a, në ndryshim me një muaj më parë, ku mori 3 për qind, ka pësuar një rënie me 1 për qind. Në total, forcat e majta marrin 43 për qind të votave. Në tabelën e forcave që kanë mundur të marrin më shumë se 1 për qind të votave, kësaj radhe është edhe PBDNJ-ja.
Deciziv për përcaktimin e fituesit në zgjedhjet e ardhshme duket se do të jenë përsëri të pavendosurit, të cilët edhe në këto zgjedhje janë rreth 10 për qind e të pyeturve. Ndërkohë që 3 për qind e të anketuarve nuk kanë pranuar të përgjigjen se për kë do votonin.
Edhe gjatë këtij testimi të opinionit të shqiptarëve rezulton se për dy liderët kryesorë, Kryeministrin Sali Berisha dhe Kryetarin e opozitës, Edi Rama, ekziston një vlerësim më shumë negativ sesa pozitiv.
Vetëm 40 për qind e shqiptarëve vlerësojnë pozitivisht performancën e Berishës, pasi 58 për qind e tyre e vlerësojnë atë negativisht. Ndërsa Ramën 44% e vlerësojnë pozitivisht dhe 53 për qind negativisht.