Gjyqi 12-vjeçar dhe azilet e fituara
Tashmë kanë kaluar mbi 12 vjet pas nisjes së betejës ligjore nëpër dyert e gjykatave për organizatën "Hakmarrja për Drejtësi". Prokuroria ka mbaruar me administrimin e provave materiale dhe sjelljen e dëshmitarëve të akuzës, duke u lënë përfaqësuesve ligjorë të paraqesin provat dhe dëshmitarët e tyre para se procesi të kalojë në përgatitjen e pretendimeve përfundimtare nga të dyja palët. Tashmë, dihet se i pandehuri Orik Shyti, Kreshnik Spahiu, Altin Arapi, Nikolin dhe Pasho Novruzaj, kanë fituar azil politik në tri vende të ndryshme të Europës, përkatësisht në Zvicër, Belgjikë dhe Holandë. Dy të tjerët, Dritan Hate dhe Gëzim Gjoni po shijojnë lirinë, duke u gjykuar në gjendje të lirë dhe të vetmit anëtarë që rezultojnë në listën e personave të kërkuar janë Leart e Roland Shyti dhe Gentian Caka, pasi vendndodhja e tyre ende nuk dihet. Mbi 10 të pandehurit rëndojnë rreth 18 vepra penale, nga aktet terroriste, vrasje e deri në armëmbajtje pa leje.