E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-shefi i krimeve në Rinas, nën akuzë për plagosje

Ish-shefi i policisë kriminale në Rinas është vënë nën akuzë nga Prokuroria e Tiranës. Astrit Gjonpalaj akuzohet për plagosjen e një shtetasi të huaj. Ngjarja ka ndodhur disa muaj më parë, gjatë kohës që Gjonpalaj ka qenë me detyrë në aeroportin e Rinasit, ndërsa është konfliktuar me një tregtar kroat, të cilin e ka qëlluar. Qytetari nga Kroacia, pronar i një agjencie udhëtimesh, e ka denoncuar Gjonpalajn në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm për ushtrim dhune. Pas verifikimeve dhe hetimeve nga SHKB-ja, kjo e fundit e ka dërguar çështjen në Prokurorinë e Tiranës për hetimin e ngjarjes dhe pas zbardhjes së ngjarjes është marrë vendimi nga numri një i policisë për pezullimin e shefit të krimeve në Komisariatin Rinas. Kërkesa është miratuar, duke i dhënë leje prokurorisë për të sqaruar të gjithë konfliktin ku ishte ngatërruar Gjonpalaj. Pas disa muajsh, hetuesit e çështjes kanë sqaruar se komisari Gjonpalaj është fajtor për konfliktin. Dosja është depozituar në Gjykatën e Tiranës. Kjo e fundit ka hedhur shortin dhe çështja do të gjykohet nga gjyqtari Gerd Hoxha, nën akuzën e "Plagosjes së lehtë me dashje". Komisar Astrit Gjonpalaj ka punuar vetëm dy muaj në detyrën e shefit të krimeve në Komisariatin e Rinasit. Para se të merrte këtë detyrë, Gjonpalaj ka pasur poste drejtuese në polici, duke qenë shef i parandalimit të krimeve në Komisariatin Nr. 2 në kryeqytet.

S.Ç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›