Vëllai i të arrestuarit: I kanë mbetur vetëm 14 ditë burg
Për futjen në burg të Gëzim Gjonit, jo vetëm që nuk është zhvilluar asnjë operacion policor, por në të vërtetë i dënuari kishte shtatë ditë që shkonte në polici për të sqaruar rrethanat e tij. Ilir Gjoni, vëllai i Gëzim Gjonit, ka folur ekskluzivisht për agjencinë e lajmeve NOA mbi këtë argument. "Gëzimi Gjoni është dënuar me 5 vjet dhe ishte në gjendje të lirë. Sipas llogarive të prokurorisë i kishin mbetur edhe 14 ditë burg për të kryer. Ka shkuar në polici ditë për ditë gjatë javës që shkoi, e po ashtu, edhe dje për të bërë të 14 ditët", tregon Ilir Gjoni. Iliri evidenton faktin e cituar nga policia se "nuk kishte shkuar vendimi" dhe vijon: "Dje i thanë që të shkonte sot (e mërkurë) dhe ai shkoi në orën 13.00 dhe kjo është e vërteta". Ilir Gjoni pohon se "lajmi për kapjen dhe një skuadër speciale që e ka prangosur janë budallallëqe që duan të tregojnë ‘suksesin‘ e policisë". Ndërkohë, vëllai i Gëzim Gjonit detajon edhe atë që Policia e Tiranës e cilëson si një operacion të suksesshëm: "Gëzimi erdhi dje sërish në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke kërkuar që të vuajë kohën e dënimit prej 14 ditësh. I thanë se nuk kishte vend dhe se duhet të vinte nesër (e mërkurë) në orën 13.00. Ashtu bëri, u nis në drekë për të shkuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, me makinën e tij dhe u paraqit brenda ambienteve". Po ashtu, Iliri tregon se i ka dhënë pasaportën biometrike dhe kartën e identitetit policisë, e cila pasi i fotokopjoi ia ktheu mbrapsht. Në përfundim të deklarimeve të tij për atë që u cilësua arrestimi i vëllait, Iliri shprehet i indinjuar: "Ne duam të punojmë, jemi të angazhuar me punë, detyrimet e shtetit duhet të plotësohen dhe ne të vazhdojmë punën", duke iu referuar biznesit të inerteve.