E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, banorët e Orikumit përplasen me policinë

VLORË/ Punëtorët e NB Rinia Orikum kanë kërkuar pronat e tyre sipas ligjit 7501


VLORË - Një tjetër protestë për tokat është shënuar në orët e paradites në Orikum, ndërsa këtë herë banorët protestues janë përballur edhe me forcat e policisë. Protestat e përsëritura ish-punonjësit e ndërmarrjes bujqësore të Orikumit i kanë shoqëruar edhe me bllokimin e punimeve të ndërtimeve që po kryhen në tokat që ata pretendojnë me ligjin 7501.


Duke marrë shkas nga bllokimet e punimeve, forca policie kanë zbarkuar dje në qytezën bregdetare. Ka qenë ora rreth 08:30 kur në afërsi të qendrës së Orikumit ku po ndërtohen pallate kanë mbërritur forca policie, të cilat kanë bërë dhe rrethimin e vendit ku po ndërtohej pallati, duke larguar forcërisht banorët.


Këta të fundit gjendeshin që prej disa ditësh aty duke mos lejuar vijimin e punimeve në një prej gropave të hapura. Duke parë këtë situate, janë mbledhur dhe njerëz të tjerë, të afërm dhe banorë të prekur nga çështja e pronësisë, çka ka rritur numrin e protestuesve, por edhe tensionin e krijuar mes tyre dhe forcave të rendit.


Ka pasur protestues të cilët kanë pohuar se po keqtrajtoheshin edhe nga blutë e policisë, në një kohë që protestonin për të marrë atë çka u takon. "Nuk po gjejmë dot forma e mënyra për të drejtën tonë, në një kohë kur ligji nuk funksionon",- thanë banorët.


Ata kanë akuzuar për abuzime që po bëhen me pronat. Duke hasur në kundërshtimin e banorëve për të zhbllokuar punimet, disa prej tyre u shoqëruan në komisariatin e Vlorës, ndërsa shumë të tjerë u gjendën në dyert e policisë duke kërkuar që të liroheshin të afërmit e tyre.


Banorët thonë se janë të gjithë përfitues nga ligji 7501 për tokat që tashmë po kryhet ndërtimi i pallateve. Sipas tyre, janë dhënë leje abuzive, duke u grabitur tokat. Kthimi dhe kompesimi i pronave ka qenë organizmi që ata kanë akuzuar për njohje pronësish në mënyrë të paligjshme.


Banorët dikur kanë qenë punëtorë të NB Rinia Orikum dhe janë përfitues të më tepër se 450 ha sipërfaqe. Ata kanë protestuar disa herë për tokat që pretendojnë të kenë përfituar me këtë ligj, të cilat u janë zaptuar nga pronarë të tjerë. Pranë bashkisë mësohet se dhënia e lejeve për pallate është kryer konform të gjitha rregullave, pasi ndërtuesit kanë paraqitur dokumentacione të rregullta pronësie.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›