E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Temsa”, prodhuesi i parë në botë për minibusë dhe autobusë

 

Në rrugët shqiptare do të qarkullojnë autobusë të rinj, më komodë, më cilësorë dhe më modernë. Bëhet fjalë për markën e njohur “Temsa”. Në një deklaratë për mediat, presidenti i kompanisë “Anas”, Ferdinant Ibrahimi, u shpreh se “Temsa, një nga prodhuesit më kryesorë të minibusëve dhe autobusëve, fituese e çmimit ‘Prodhuesi nr.1 në botë për 2008’, është më së fundmi partner biznesi dhe njëkohësisht pjesë e kompanisë sonë. Anas sh.p.k, si pjesë e pandarë e tregut shqiptar me makinat FIAT, më së fundmi sjell në Shqipëri përfaqësinë e kompanisë prestigjioze TEMSA”. Konkretisht “Temsa global” është pjesë e Sabanci, grup i cili është korporata më e fuqishme ekonomike në Turqi, e ndërtuar në vitin 1968. Ka filluar të prodhojë autobusë që në vitin 1987, por ekzistenca e saj në Evropë si prodhues i pavarur i automjeteve me dizenjim vetjak ka filluar që në vitin 2001. Në shtatë vite kompania ka lançuar dhjetë modele të reja në treg. Në fund të 2006, “Temsa global” eksportonte në mbi 40 vende të Evropës, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Investimet e viteve të fundit përfundojnë në rritjen e kapacitetit produktiv dhe portofolit të produkteve, thithjen e teknologjisë së re, kërkime për zgjidhje të reja, përshtatjen e kualiteteve të larta dhe modernizimi i procesit të passhitjes. Të gjithë këto elementë së bashku tregojnë vendosmërinë e “Temsa global”, për të ofruar përfitime të vlefshme për klientët e saj. “Temsa global” përbën një zgjidhje të kënaqshme për klientët, duke synuar të bëhet një markë dominante në treg. “Me anë të këtij bashkëpunimi, synojmë dhe një element tjetër shumë të rëndësishëm që është përforcimi i gamës së mjeteve cilësore të transportit që ofron Anas sh.p.k për tregun shqiptar. Një risi në këtë drejtim, duke qenë si distributori i parë në Shqipëri për minibusë dhe autobusë. Theksoj, mjete cilësore duke pasur parasysh se në momentin aktual në rrugët shqiptare lëvizin autobusë tejet të amortizuar, ndaj del domosdoshmëri rinovimi dhe përmirësimi i këtij parku mjetesh kombëtare”, u shpreh presidenti i kompanisë ANAS.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›