Gjyqi i Bollanos, betohen ekspertët e rinj për llogaritjen e dëmit
Gjykata e Vlorës u ka dhënë dje detyrën dy ekspertëve të rinj, të cilët do të përcaktojnë vlerën e dëmit të shkaktuar nga kryebashkiaku i Himarës, Vasillaq Bollano, nëpërmjet urdhrit për heqjen e tabelave kulturore-turistike në rrugën kombëtare nga Llogoraja në Qeparo. Dje është zhvilluar seanca e radhës gjyqësore në ngarkim të Bollanos, i cili akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ekspertët e përcaktuar nga gjykata kanë bërë dje betimin para saj për përgjegjësinë ligjore në gjykimin e çështjes dhe vlerësimin e fakteve të kërkuara. Kërkesa për ndryshim të ekspertëve të vlerësimit të dëmit material të shkaktuar nga heqja e tabelave është bërë nga avokati mbrojtës i Bollanos, Petraq Curri. Gjykata e mori në konsideratë këtë kërkesë dhe vendosi thirrjen e një eksperti ndërtimi dhe një eksperti kontabël, të cilët do të bëjnë rivlerësimin e situatës. Pas betimit, gjykata vendosi t‘u vërë në dispozicion ekspertëve elementë të dosjes dhe aktet që ata kërkuan, ndërsa prej tyre mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Curri parashtroi katër kërkesa, të formuluara në trajtën e pyetjeve që duhet të marrin përgjigje. Akuza e përfaqësuar nga prokurori i rrethit, Sokol Malaj, parashtroi vetëm një kërkesë ndaj ekspertëve për shqyrtim të dëmit material të shkaktuar, ndërsa një tjetër kërkesë iu drejtua gjykatës, për vënien në dispozicion të ekspertëve të dosjes.