E Diel, 1 Nëntor 2026

Një 15-vjeçar kryen atentat me armë për katër qengja

Një 15-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Fierit si autori i dy veprave të rënda penale. Fëmija akuzohet për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve. 15-vjeçari nga Patosi është arrestuar dje në orët e para të mëngjesit, pasi mbrëmjen e së hënës ka qëlluar me kallashnikov drejt një automjeti ku ndodheshin dy persona. Shkak i kësaj ngjarjeje të rëndë, që fatmirësisht nuk shënoi viktima, mësohet të jetë bërë një borxh i pashlyer nga dy personat e sulmuar. Sipas Policisë së Fierit, sherri i të miturit me dy personat e tjerë ka nisur disa javë më parë, kur Artur Sula dhe Fatmir Sanxhaku, të dy banorë të Patosit, kanë marrë te ferma e Ramiz Pashës disa qengja, me qëllim që t‘i bënin kurban për festën e Baba Tomorrit. Që nga fundi i gushtit e deri dje, Sula e Sanxhaku nuk kanë dhënë lekët për qengjat e marrë. Mësohet se djali i Ramiz Pashës, Marioja 15 vjeç, i cili punonte me të atin, u ka kërkuar shpesh herë borxhlinjve lekët. Burimet policore tregojnë se edhe ditën e hënë 15-vjeçari ka takuar dy borxhlinjtë dhe u ka lënë afat deri pasdite për të shlyer borxhin. Shuma e lekëve të pashlyera, sipas burimeve zyrtare të policisë, konfirmohet se është 15 mijë lekë. Ashtu siç kishte paralajmëruar, pasditen e së hënës i mituri ka shkuar në lagjen "Naftëtari" të qytetit të Patosit dhe u ka zënë pritë Artur Sulës dhe Fatmir Sanxhakut, që udhëtonin në një automjet tip "Mercedes Benz 240" me targa FR 1259 C. Pasi u ka rikujtuar borxhin dhe afatin e lënë, si dhe ka parë që Sulaj e Sanxhaku nuk e kanë dhënë shumën e lekëve, 15-vjeçari ka nxjerrë kallashnikovin që kishte fshehur në sediljen e parë të makinës së tij dhe ka qëlluar në drejtim të makinës. Fatmirësisht, plumbat kanë shpuar vetëm llamarinën dhe xhamat e makinës, por nuk kanë prekur dy personat që ndodheshin në të. Policia tha se 15-vjeçari ka shkrehur dy karikatorë automatiku në drejtim të makinës dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ai është arrestuar vetëm pas gjashtë orësh në banesën e një shoku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›