Homazhe në Butrint për viktimën e fundit të tragjedisë
Mbi ujërat e liqenit të Butrintit dje janë hedhur tufa me lule. Ato kanë qenë në shenjë homazhi për viktimën e pestë të tragjedisë së Butrintit. Pesë ditë pas nxjerrjes nga ujërat e liqenit të Butrintit të trupit të pajetë të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari, kanë qenë rreth 30 familjarë e të afërm që kanë ardhur nga fshati Imsh i Lushnjës për të bërë homazh ndaj njeriut të tyre të dashur në vendin ku ndodhi tragjedia. Tufa me lule janë hedhur pranë vendit ku u zbulua kufoma pas shumë ditë kërkimesh, në vendin ku babai dhe xhaxhai kanë identifikuar se i mbyturi ishte Ndriçimi i tyre. Ata kanë kujtuar edhe dje se si ai, jashtë dëshirës së tyre, ishte larguar nga familja për të punuar emigrant në Greqi, për të përmirësuar sadopak gjendjen ekonomike në kufijtë e urisë. Përmes dhimbjes së thellë për humbjen e të birit, Ylli Myftari, ka kërkuar mbështetjen e shtetit për të kapërcyer gjendjen kritike në ekonominë e familjes, e cila është rënduar edhe më shumë pas shpenzimeve për ceremoninë mortore. Ndërkohë apeli i tij nga Butrinti ka qenë për t‘i dhënë fund emigracionit klandestin, duke mundësuar pajisjen me viza, pa mbetur politika në fjalë e premtime. Gjatë kthimit nga Porta e Luanit, vendi nga u nis varka e tragjedisë, familjarët janë takuar në Butrint edhe me kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, i cili u shprehu atyre ngushëllime për humbjen e madhe.