E Shtunë, 31 Tetor 2026

S‘japin shenjat e gishtave, refuzojnë kartat e identitetit

Dhënia me detyrim e shenjave të gishtave ka bërë të tërhiqen nga procesi për pajisje me karta identiteti shumë të rinj. Shqetësimi vjen nga Bashkia e Beratit, ku fenomeni është bërë shqetësues në atë masë sa operatorët e qendrave të aplikimit për kartat e reja kanë përpiluar një informacion për autoritetet. Ndërkohë, procesi vijon me probleme të shumta në qytete të ndryshme të vendit. Në Fier, prefekti është detyruar të dalë në televizionet lokale e t‘u bëjë thirrje njerëzve të aplikojnë, pasi ritmet e deritanishme janë tepër të ngadalta.

Berat

Procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti në qytetin e Beratit, përveçse po ecën me ritme tepër të ngadalta për një sërë problemesh teknike, është shoqëruar edhe me tërheqjen e disa qytetarëve, të cilët i tremben dhënies së shenjave të gishtave. Dhënia e këtyre shenjave, pjesë e procesit për pajisjen me karta identiteti, është bërë shkak që shumë qytetarë të Beratit të heqin dorë nga aplikimi, edhe pse e kanë bërë më parë pagesën.

Aktualisht, procesi është duke u zhvilluar në tri rajonet e Bashkisë së qytetit të Beratit, por në të tri këto rajone është vënë re dukuria e tërheqjes nga aplikimi i qytetarëve, që nuk pranojnë të japin "shumë të dhëna". Burime pranë njësive ku është duke u zhvilluar procesi i aplikimit bëjnë me dije se janë të shumtë qytetarët, meshkuj, kryesisht të rinj, të cilët janë paraqitur pranë këtyre qendrave dhe sapo kanë mësuar se pjesë e procesit të aplikimit është edhe dhënia e shenjave të gishtave janë larguar. Kjo dukuri është vënë re kryesisht te disa prej emigrantëve të rikthyer këto ditë në qytet, ose tek ata që kanë qenë dikur emigrantë. Pikërisht sipas operatorëve të tre prej qendrave, kjo dukuri është vërejtur ditët e fundit dhe u është vënë në dukje instancave përkatëse. Të njëjtën dukuri kanë pohuar edhe drejtues të rajoneve respektive. Ky është një problem, i cili, sipas tyre, do të sjellë mospajisjen në mënyrë të vullnetshme të disa qytetarëve. Arsyeja e shmangies së dhënies së shenjave të gishtave, sipas punonjësve të qendrave, ka të bëjë dhe me ndryshimet e gjeneraliteteve në shtete ku ata kanë emigruar, kryesisht në Greqi, për efekt të pajisjes me dokumente në ato vende. Probleme me ecurinë normale të këtij procesi ka pasur edhe me sinjalin e internetit, që sipas operatorëve është i ngadalshëm dhe ka ndikuar në ecjen me ritme të ngadalta. Po kështu, probleme ka pasur dhe në një prej rajoneve, ku procesi ka nisur me vonesë dhe një prej aparaturave nuk është ende në gjendje pune.

Fier

Konfuzioni i krijuar përpara zyrës së aplikimit gjatë paradites së djeshme, ka detyruar prefektin e Qarkut Fier që të bëjë një thirrje publike. "U bëj thirrje banorëve të Fierit dhe të gjithë qarkut që të frekuentojnë zyrat e ALEAT për aplikimin për karta e identiteti edhe gjatë orëve të pasdites, pasi në këtë mënyrë procesi do të ecë me ritme të shpejta. Jo se procesi deri tani ka ecur keq, por duke qenë se qytetarët mendojnë të kryejnë aplikimin vetëm paradite, në dyert e kësaj zyre krijohet konfuzion, që shpeshherë mund të krijojë edhe probleme. E kundërta ndodh gjatë orëve të pasdites, ku kjo zyrë pothuajse nuk funksionon, pasi nuk ka aplikues. Një gjë e tillë e pengon procesin, pasi po të bëhet një shpërndarje e drejtë e aplikuesve numri i tyre tashmë nuk do të ishte 300 në ditë, por dyfish", tha prefekti i Qarkut Fier, Shahin Bejdaj. Realisht një konfuzion i tillë është parë pothuajse çdo ditë përpara zyrës që ndodhet në katin e parë të Bashkisë Fier, ku që në orët e para të mëngjesit krijohen radhë të gjata të qytetarëve që kërkojnë aplikim për letërnjoftimet elektronike. Deri tani, në Bashkinë Fier numërohen afro 1600 aplikues, ndërsa pritet që deri në muajin mars të jenë pajisur me karta 12000 njerëz, të cilët nuk kanë asnjë dokument identifikimi. Në total, në Fier rezultojnë 80400 banorë që presin të marrin në dorë kartën e identitetit. Jo vetëm mungesa e energjisë dhe linjës së internetit, por edhe mungesa e sistemit të adresave, si dhe emërtimi i rrugëve ka bërë që shumë qytetarë jo vetëm të vonohen gjatë procesit të aplikimit, por edhe të largohen nga këto zyra, pa e kryer këtë proces të rëndësishëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›