Vlorë, tri fshatra në protestë për pronën
Banorët e fshatit Delisuf në rrethin e Vlorës kanë zhvilluar dje një protestë, sepse, sipas tyre, po u grabiten tokat nga pushtetarët. Rreth 200 banorë të moshave të ndryshme, për rreth dy orë kanë protestuar në qendër të fshatit Delisuf, si dhe para komunës në Novoselë. Ata thonë se e kanë marrë tokën që kanë në pronësi në vitin 1999 në bazë të ligjit nr. 8312, datë 26.3.1998, për ndarjen e tokave bujqësore të pandara, me propozim të Ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit dhe me miratim të Këshillit të Ministrave. Gjatë këtij procesi u firmosën 140 tapi. Dokumentet për banorët e fshatit Delisuf, Gëllënjë dhe Aliban u dërguan në kadastër dhe më pas në Hipotekë, por ende sot nuk janë dhënë certifikata të pronësisë. Zyrtarët e Hipotekës nuk japin asnjë shpjegim, por përgjigjen prerë se kjo tokë nuk do t‘u njihet fshatarëve me dokumente. Para disa ditësh, sipas banorëve, komuna ka dërguar një komision për të bërë regjistrimin e tokave, të cilat u janë dhënë banorëve që në vitin 1999 sipas ligjit. Anëtarët e këtij komisioni u kanë thënë fshatarëve se toka po matej, sepse ishte e lirë, pra pronë e shtetit dhe do t‘u jepet personave të tjerë me koncesion. Për këtë arsye banorët e tre fshatrave kanë organizuar dje një protestë, për të mbrojtur tokën që u është dhënë me ligj. Sipas tyre, në lëvizjet e fundit kanë dorë të afërm të qeveritarëve dhe ata janë të vendosur të luftojnë deri në fund për të mos lejuar shpronësimin. Banorët e tre fshatrave kanë depozituar një padi në Prokurorinë e Vlorës, ku akuzojnë komunën dhe shtetin se po u grabit pronat, duke i dhënë ato me qira.