E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transferohen zyrat, ndalet procesi në Gjirokastër

Në Bashkinë e qytetit të Gjirokastrës është ndërprerë procesi i dhënies së kartave të identitetit, për shkak të transferimit të pajisjeve të zyrave të gjendjes civile në mjediset e reja të rikonstruktuara, por pavarësisht nga kjo, që nga fillimi i këtij procesi një javë më parë janë evidentuar më shumë se 35 persona të regjistruar në listën e personave inekzistentë që do të pajisen me karta identiteti, vitlindja e të cilëve i përket shekullit XIX, pra në fakt nuk jetojnë pasi kanë vite që kanë vdekur, por nga administrata nuk janë çregjistruar nga listat e të gjallëve. Spostimi i pajisjeve të zyrave të shërbimit të gjendjes civile për në ambientet e reja të restauruara është bërë në kulmin e punës, duke shkaktuar ndërprerjen e procesit të pajisjes me karta identiteti për qytetarët gjirokastritë. Lidhur me ndërprerjen e procesit, prefekti Spiro Ksera tha për "Shqip" se "ky proces i nisur vetëm 10 ditë më parë është ndërprerë pas përfundimit të rikonstruksionit të zyrave të gjendjes civile në bashkinë e qytetit. Transferimi për në zyrat e rikonstruktuara ka sjellë shkëputjen e rrjetit dhe linjës së internetit dhe për pasojë bllokimin e procesit të aplikimit për kartat e identitetit për qytetarët". Sipas Kserës, kjo është një situatë e përkohshme, pasi në ditët kur ky proces filloi, ka vijuar normalisht dhe nuk janë vënë re radhë të gjata me gjithë interesimin e madh të qytetarëve. Bllokimi për afro dy ditë i procesit, për pasojë të transferimit të zyrave të gjendjes civile, nuk shihet me shqetësim nga ana e prefektit Spiro Ksera, ndërkohë që ai sqaron se procesi në fjalë paraqet vështirësi sa u përket dublimeve, apo përfshirjes në lista të personave që nuk ekzistojnë. Administrata e prefekturës është angazhuar në monitorimin e procesit, por duke qenë një proces elektronik, mund të ketë probleme teknike në ditët e ardhshme. Ksera ka kërkuar me këtë rast mirëkuptimin e qytetareve, të cilët gjatë dy ditëve të fundit janë kthyer mbrapsht, duke mos pasur mundësi të aplikojnë për letërnjoftime dhe karta identiteti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›