E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë për pagat, bllokohet shitja e karburantit në Ballsh

Punonjësit e Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, si dhe ata të kompanisë "Albpetrol" sh.a që janë prekur nga reforma e vitit të kaluar u janë rikthyer protestave. Shkak për protestat është bërë mosmarrja e pagës nga ana e tyre për dy muajt e fundit, si dhe e shpërblimeve për vjetërsinë e punë. Protestat e ish-naftëtarëve janë shtrirë në Ballsh dhe në Fier. Ata kërcënojnë për një paralizim të sektorit të industrisë së naftës. Por, gjatë ditës së enjte shitja e karburantit në KPTHN-në e Ballshit është bllokuar për katër orë. Qysh në orën 07:00 të mëngjesit të së enjtes, ish-punonjësit e KPTHN-së janë mbledhur në tri grupe në sheshet përpara dy reparteve të shitjes së karburantit, si dhe përpara hyrjes kryesore të kombinatit. Për katër orë në të dy pikat e shitjes së karburantit të KPTHN-së nuk është lejuar të furnizohet asnjë autobot apo ndonjë mjet tjetër transporti. Kreu i ish-naftëtarëve, Pajtim Elamazaj, tha se "Duam vetëm repsektim të vendimit të Këshillit të Ministrave për pagat tona". Tri javë më parë, këta naftëtarë hynë në ambientet e brendshme të Prefekturës së Fierit, duke protestuar për të njëjtat kërkesa. Nga ana tjetër, ish-punonjësit e kompanisë "Albeptrol" bllokuan dje sportelet e "Postës Shqiptare" në Fier, ku kishin shkuar të merrnin paratë e premtuara nga kompania, por që nuk ishin disbursuar ende.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›