LSI: Qeveria "Berisha" duhet të largohet
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dje dorëheqjen e qeverisë "Berisha" dhe hetim nga prokuroria për skandalin e Jalit. Sekretari i përgjithshëm, Petrit Vasili, vlerësoi se çdo tentativë për t‘iu shmangur përgjegjësive lidhur me të është e dëshpëruar, e dështuar dhe rëndon gjithmonë e më shumë përgjegjësit konkretë të saj, që janë Kryeministri Berisha dhe ministrat e tij. "Banka Botërore në komunikimin e saj zyrtar pa mëdyshje bën të qartë për çdo shqiptar se mashtrimi shtetëror lidhur me shkatërrimin e pronës në Jal ka qenë shumë i madh", u shpreh Vasili. LSI kërkon prerë që Berisha dhe ministrat e tij të japin menjëherë dorëheqjen.