E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqi me 20 seanca dhe prania e vetme e Metës në Gjykatë e Lartë

16/01/2012  Sot vendimi përfundimtar për dënimin ose jo të ish-zv/kryeministrit të vendit

TIRANE-Dhjetë ditë kohë i kanë mjaftuar Gjykatës së Lartë, për të vendosur nëse do shpallë të pafajshëm ose jo, ish-ministrin e Ekonomisë njëherësh dhe ish-zv/kryeministrin Ilir Meta. Sot kolegji penal i drejtuar nga relatori Ardian Dvorani do japë verdiktin përfundimtar mbi të pandehurin Ilir Meta, për të cilin Prokuroria e Përgjithshme kërkoi dënimin me dy vjet burg dhe 10 milionë lekë gjobë. Në plot 20 seanca gjyqësore procesi ndaj Metës, i cili u paraqit vetëm një herë në gjykatë, është zhvilluar me kërkesa dhe debate të ndryshme, pa lënë mënjanë dhe pyetjen e 23 dëshmitarëve të Prokurorisë, ku më kryesori ishte deputeti Dritan Prifti. Që prej muajit qershor 2011 në Gjykatën e Lartë, filloi beteja mes Prokurorisë dhe mbrojtjes së Metës, ku u duk qartë lëkundja e këtyre të fundit në seancat e para për kërkesat e bëra lidhur me pushimin ose jo të çështjes penale. Pas kalimit të këtij raundi, dosja e Prokurorisë pësoi një krisje, pasi me një vendim të Gjykatës së Lartë u rrëzua prova kryesore e Prokurorisë, ekspertiza e amerikanit Glenn Bard që nxirrte autotencitetin e vërtetë të video-përgjimit Meta-Prifti. Pas kësaj disfate të pësuar nga akuza, Gjykata e Lartë cakton tre ekspertë shqiptarë për të thënë fjalën e fundit mbi të vërtetën e videos Meta-Prifti. Ardian Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rahmani, shfaqin vështirësi për sigurimin e programeve kompjuterike, duke iu drejtuar për ndihmë gjykatës. Një javë nga përfundimi i afatit, tre eskpertët japin konkluzionet duke u shprehur se në video ekziston një probabilitet i madh për ndërhyrje, por pa thënë nëse materiali është origjinal ose jo. Ekspertiza “Made in Albania” kontestohet nga Prokuroria, ndërkohë që gjykata e administron si provë në fashikullin e gjykimit, duke i hapur rrugë dëgjimit të dëshmitarëve VIP. Në seacën gjyqësore paraqiten emra të njohur të politikës dhe biznesit si: Dritan Prifti, Rezart Taçi, Bekim Halilaj, Agim Rrapaj etj, ku veç Priftit që akuzoi drejtpërdrejt të pandehurin Meta, asnjëri prej tyre nuk e fajësoi liderin e LSI.

I pari gjyq në Gjykatën e Lartë

Çështja “Meta” mund të konsiderohet si një nga proceset e parë që Gjykata e Lartë gjykon në themel. Prej 20 vitesh, dhjetëra dosje kanë mbërritur në dyert e kësaj gjykate, por që në fakt asnjëherë nuk është bërë gjykimi i tyre, pasi janë pushuar që në kërkesat paraprake. Një praktikë të tillë e ndërmorri dhe i pandehuri Meta, por në rrethana të paqarta ai tërhoqi kërkesën për pushimin e çështjes, duke vijuar më pas në gjykimin provë pas prove të kësaj dosje penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›