Rama mbron me gjysmë zëri editorialin e rrëzimit të qeverisë
Meta, në përpjekje për ti dhënë një kuptim rigjetjes së telave me Berishën dhe për të justifikuar vendosmërinë e këtij të fundit për ti thënë jo një pakti presidencial me opozitën, përmendi editorialin e fundit të Ramës, në të cilin i pari i socialistëve kërkon rrëzimin e qeverisë. Ai editorial prishi gjithë punën e bërë, thotë Meta, duke treguar me këtë se marrëdhëniet mes njëri-tjetrit i sheh, në rastin më të mirë, si marrëdhënie fëmijësh zevzekë të lënduar e të lëndueshëm në sedër.
Rama, në mënyrën më të çuditshme, po bën çmos ta minimizojë e ta fshehë mesazhin e atij editoriali, a thua se është dakord me Metën se me atë editorial i ka vënë vërtet minën mundësisë për marrëveshje. A nuk do ishte më mirë të përsëriste se po, rrëzimi i kësaj qeverie është një projekt i imi politik e një imperativ për të gjithë? A nuk do ish më mirë që, në vend ta mbronte me gjysmë zëri editorialin e vet, tu kërkonte Metës e Berishës që tmos përzjenin ndyrësisht betejat opozitare me negociatat presidenciale? A nuk e mendon Rama se po, neve na duhet që çke me të një President konsensual, por më tepër na duhet nervi e vibrimi opozitar?
