Nobelisti: Edhe unë kam gjak shqiptar
Kryeministri Sali Berisha priti dje shkrimtarin e famshëm turk Orhan Pamuk, laureat i çmimit “Nobel” për vitin 2006. Kryeministri shprehu kënaqësinë që priste shkrimtarin, i cili me librat e tij është ndër më të njohurit në Shqipëri, sepse ato përshkruajnë një botë dhe një psikologji shumë të afërt për shqiptarët. Orhan Pamuk shprehu gëzimin që vizitonte një vend mik, shumë të dashur për të gjithë turqit. “Duhet të kisha ardhur më parë, tha ai, sepse edhe unë kam gjak shqiptar nga gjyshja ime, nga ana e nënës”. Shkrimtari turk i dhuroi Kryeministrit Berisha romanin e tij të fundit, të botuar në shqip. “Për disa shekuj, shqiptarët i kanë dhënë Perandorisë Osmane personalitete të shquar, si Sami Frashërin, hartuesin e fjalorit të parë enciklopedik turk, Hasan Tahsinin, rektorin e Universitetit, Mehmet Akif, poetin e himnit kombëtar turk. Disa prej tyre ishin edhe formuluesit e ideve të shtetit të sotëm shqiptar dhe të aspiratave të tij europianiste, si Sami Frashëri, Ismail Qemali, etj.”, tha Kryeministri.
#