Basha drejt "lirimit" nga akuzat
Dje Gjykata e Lartë cilësoi të pavlefshme hetimet e Prokurorisë së Përgjithshme për Durrës- Kukës, pas 6 nëntorit 2008
Pranohet ankimimi i Tomës dhe Telitit. Procesi ndaj Bashës drejt mbylljes, ndërsa seanca e ardhshme pritej me 10 prill
TIRANË- Gjykata e Lartë lë në fuqi vendimet e Gjykatës së Faktit dhe të Apelit në kryeqytet, duke i shpallur përfundimisht të pavlefshme veprimet hetimore e procedurale të Prokurorisë së Përgjithshme të kryera pas datës 6 nëntor 2008, në lidhje me dosjen hetimore të skandalit të rrugës Durrës-Kukës ndaj të pandehurve Lulëzim Basha e Andi Toma.
Sipas vendimit të trupit gjykues të të kryesuar nga gjyqtarja Majlinda Andrea, vendimi i firmosur nga gjyqtari Sokol Tona në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe më pas nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Dalip Bushi në Gjykatën e Apelit është i drejtë dhe i bazuar në ligj.
Ky vendim, i hap dritën jeshile pavlefshmërisë relative të akteve hetimore e procedurale të Prokurorisë së Përgjithshme, të kryera pas datës 6 nëntor 2008.
Këto veprime kanë të bëjnë me përpilimin e fletë-thirrjes dërguar Ministrit të Jashtëm, Lulëzim Basha, për njohjen me akuzat dhe marrjen në pyetje me cilësinë e të pandehurit, vendimin e mbylljes së fazës hetimore, renditjen e kërkesës për gjykim dhe vendimit të dërgimit të akteve dhe dosjes hetimore pranë Gjykatës së Lartë.
Këto veprime, sipas vendimit të lënë në fuqi mesditën e djeshme, janë kryer në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke i deklaruar të gjitha këto akte hetimore e procedurale të pavlefshme.
Pas vendimit të djeshëm, thënë ndryshe ndaj ish-Ministrit të Transporteve Lulëzim Basha dhe Andi Toma nuk ka një akuzë zyrtare dhe nuk janë të pandehur për këtë dosje penale.
Ky vendim, i shfuqizimit të vendimit të zgjatjes së afateve hetimore dhe pavlefshmërisë së çdo veprimi hetimor apo procedural të kryer pas datës 6 nëntor 2008 nga prokurori i çështjes, Arben Kraja, është dhënë fillimisht nga gjyqtari Sokol Tona më 17 dhjetor 2008.
Ky vendim i gjyqtari Tona është marrë pas kërkesë padisë së depozituar në gjykatë nga ish-i pandehuri Armand Teliti dhe i pandehuri Andi Toma.
Ata të dy kundërshtuan zgjatjen e afateve hetimore edhe për një muaj nga organi i akuzës. Më pas, ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit, nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Dalip Bushi.
Por, këto dy vendime u ankimuan me rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila vendosi dje të lërë në fuqi këto vendime, duke dërguar kështu dosjen e themelit që po gjykohet pranë Gjykatës së Lartë drejt pavlefshmërisë relative të këtyre akteve hetimore e procedurale.
Ndërkohë, prokurori i çështjes gjatë fjalës së tij para Gjykatës së Lartë, kërkoi nga kjo të fundit prishjen e vendimeve të dy shkallëve të gjyqësorit, pasi nuk ishin ata kompetente për gjykimin e kërkesës së kundërshtimit të zgjatjes së afateve hetimore.
Ky pretendim u hodh poshtë nga mbrojtësi ligjor i të pandehurit Andi Toma, pretendim i cili gjeti mbështetjen edhe nga togat e zeza të kryesuara nga gjyqtarja Majlinda Andrea. Kjo trupë la në fuqi vendimet e dy shkallëve më të ulëta të gjyqësorit.
Përkundër këtyre vendimeve, organi i akuzës ka vazhduar të kryejë veprime procedurale për çështjen, duke dërguar në adresë të Ministrit të Jashtëm fletë-thirrjen me cilësinë e të pandehurit, e cila u ankimua në gjykatë dhe u deklarua e pavlefshme, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.
Edhe për këtë vendim, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë rekurs pranë Gjykatës së Lartë, e cila do ta marrë në shqyrtim këtë rekurs më 8 prill ora 10.
Ndërsa, me datë 10 prill ora 10, pranë kësaj Gjykate do të vazhdojë procesi gjyqësor i themelit ndaj të "pandehurve" Lulëzim Basha e Andi Toma, të akuzuar për "shpërdorim detyre" dhe "favorizim në tendera" për ndërtimin e segmentit rrugor Rrëshen - Kalimash si pjesë e rrugës Durrës-Kukës.