E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqi për Taçin, seanca e planifikuar shtyhet per sot

TIRANE-Avokatët e bosit të kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi, i cili ndodhet prej dhjetë ditësh në qeli si i akuzuar për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, i paraqitën gjykatës së Tiranës katër dëshmi të reja për të provuar se masa e sigurisë ndaj klientit të tyre duhet ndryshuar. Vitori Zera, Elona Meçe, Holta Goga dhe Eltjon Liçaj, klientë të lokalit ku ndodhi përplasja, kanë pohuar se "Rezart Taçi ka qëndruar në distancë, duke mos ushtruar dhunë ndaj gazetarit Baze". Dëshmitarët kanë shkuar dhe më tej, duke deklaruar se bosi i "Taçi Oil" është provokuar nga gazetari. Sipas tyre, këto dëshmi tregojnë se rrethanat kanë ndryshuar, ndaj dhe janë mundur të bindin gjyqtaren Fahrie Budo të revokojë masën e sigurisë "arrest me burg", në një masë më të lehtë. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore që nisi afro një orë me vonesë, avokatët kanë vendosur një garanci pasurore prej 50 mijë eurosh. Gjykata nuk ka mundur të dalë me një vendim, pasi prokurori i çështjes kërkoi kohë për të përgatitur konkluzionet e tij lidhur me pretendimet e palës mbrojtëse. "Ka pasur një qëndrim jo serioz nga prokuroria, pasi me pretendimin se nuk ishte njohur me kërkesën e bërë nga ana jonë për revokimin e masës së sigurisë, kërkoi kohë të përgatiste konkluzionet, në një kohë që gjykata nuk gabon në fletëthirrjet e saj", - tha avokati Maks Haxhiaj në përfundim të seancës. Sot pritet që togat e zeza të vendosin për fatin e biznesmenit, por më parë duhet të shprehen nëse do t'i pranojnë si prova katër dëshmitë e reja apo jo.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›