Gjyqi;Dëshmia e prindërve: Dino abuzoi me djalin tonë kur ishte 4 vjeç
Çdo dëshmi e dhënë gjatë këtyre seancave të fundit për të akuzuarit si pedofilë duket sikur po e vulos njëherë e përgjithmonë fajësinë e tyre, pra abuzimin seksual me të miturit. Ndonëse i pandehuri i djeshëm ka qenë Braun, dëshmia ka qenë kundër të pandehurit tjetër që gjykohet nga një tjetër trup gjykues, Dino Kristodulu. Dëshmi rrëqethëse janë dëgjuar dje në procesin gjyqësor në ngarkim të këtij të pandehuri, i akuzuar për “marrëdhënie homoseksuale më të mitur”. E.D. dhe A.D. kanë dëshmuar para togave të zeza momentin kur djali i tyre u kishte treguar se një nga administratorët kishte kryer marrëdhënie me të. Sipas çiftit, në vitin 2004 janë detyruar ta dërgojnë fëmijën e tyre në qendrën “Fëmijët e tij” për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ndërkohë që fëmija vuante edhe nga problemet në frymëmarrje, sepse ishte aziatik. Sipas prindërve, administratorët e qendrës i kishin bërë disa operacione për ta kuruar. Ndërsa në shtëpi kishte të drejtë të kthehej vetëm dy ditë në javë. Një ditë sipas dëshmisë, stafi i qendrës kishte shkuar në Shën Gjergj, ndërsa djali i tyre në atë kohë vetëm 4 vjeç, është kthyer në banesën e tij. Sipas prindërve, në një moment fëmija kishte hyrë në tualet. Pastaj ka dalë i shqetësuar duke thënë që kishte probleme. Çifti e kishte ulur fëmijën për ta pyetur se çfarë kishte. Sipas dëshmisë së dhënë dje në gjykatë, E.D. kishte shkuar të merrte një qetësues, ndërsa fëmija i kishte treguar babait të tij se i pandehuri Dino Kristodulu kishte kryer me të marrëdhënie seksuale disa herë. Të ndodhur para një situate të tillë, jo të shqetësuar, por të traumatizuar, prindërit i janë drejtuar prokurorisë duke qenë denoncuesit e parë të këtyre të pandehurve. Ndërsa, për të pandehurin Devid Braun, i cili po gjykohej në këtë proces, prindërit kanë shpjeguar se fëmija e tyre nuk kishte pasur probleme me të. Aktualisht, fëmija i abuzuar është 7 vjeç dhe në këtë proces gjyqësor është një nga dëshmitarët e fortë të akuzës. Procesi gjyqësor, i cili ka zgjatur disa orë, është shtyrë për të njoftuar dëshmitarët e tjerë të akuzës në lidhje me procesin gjyqësor në ngarkim të pandehurit. Sipas prokurorisë, i pandehuri ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturit të cilët ndodheshin në këtë qendër.