Në Tiranë; Prençi pret në takim homologun kroat, Benko
Ka ofruar bashkëpunim për policinë shqiptare kryesisht për trajnime në fushën e reparteve speciale, të qarkullimit rrugor, Interpolit, ndërkohë që ka shpjeguar mënyrën e funksionimit të policisë kroate si dhe arritjet e saj. Marian Benko, drejtori i përgjithshëm i Policisë Kroate, është pritur një ditë më parë në Tiranë nga homologu i tij, Ahmet Prençi, pas ftesës që i kishte bërë ky i fundit. Gjatë takimit, pasi ka informuar kroatin për legjislacionin, strukturën, mënyrën e funksionimit si dhe arritjet e Policisë së Shtetit, Prençi është shprehur se “deri tani falë aplikimit të metodave speciale të hetimit është bërë e mundur goditja e disa grupeve kriminale të akuzuara për trafik lëndësh narkotike apo armësh”. Gjithashtu, numri një i policisë tonë ka thënë se “duhet të bashkëpunojmë më shumë në luftën kundër kalimit të paligjshëm të kufirit. Nga të dhënat që kemi, rezulton se shqiptarët udhëtojnë drejt Kroacisë me qëllim që më pas të emigrojnë në perëndim”. Drejtori i përgjithshëm i Policisë Kroate do të qëndrojë për një vizitë dyditore në Shqipëri, ku ditën e sotme do të zhvillojë një takim me Ministrinë e Brendshëm, Bujar Nishani dhe më pas një vizitë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës.