E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarë nën akuzë

Mes rrumpallhanës politike e shterpe nga dita në ditë, të zgjedhurit e këtij vendi gjejnë kohë të komentojnë jo vetëm vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por të merren një më një me të gjithë gjyqtarët. Bëhet fjalë për deklaratat e fundit të deputetëve të veçantë të maxhorancës, që kanë filluar një batare të pashembullt sulmi ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, sidomos këto ditët e fundit, pas votimit 9 me 0 nga ana e këtyre gjyqtarëve për dy projekte kryesore të qeverisë: e para, marrëveshja me Greqinë për kufijtë ujorë, dhe më e rëndësishmja, hedhja poshtë nga ana e kësaj gjykate të ligjit për hapjen e dosjeve. Anëtarët e maxhorancës nuk janë duke kontestuar thelbin e këtyre dokumenteve ligjore që kanë prodhuar vetë. Janë duke u marrë me jetën personale të disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Këta të fundit janë konsideruar “pleq”, janë kërcënuar se pjesa dërrmuese e tyre do të përfundojnë shumë shpejt mandatin, dhe kështu do të marrë fund edhe “epopeja” ndriçuese e Edi Ramës me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, janë konsideruar si xhelatët e dikurshëm të Enverit, e sot xhelatët e demokracisë... E është duke u hedhur kaq shumë vrer mbi 9 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, saqë do ta kishin zili edhe anëtarët e bandave kriminale, ku fjalori përbën konkurrencë, për të mos folur për gjuhën e përdorur mes politikanëve. Po sa i konsoliduar është një shtet që nuk pranon funksionin normal të institucioneve të tij? Sa e besueshme është një maxhorancë, që në thelbin e deklaratës së vet ka luftën, duke harruar paqen? ‘Plak i rrjedhur e i rrëshqitur’, dëgjuam edhe më parë edhe për kolonelin në rezervë Myslym Pashaj, i cili asistoi ‘GSH’ për mbrojtjen e kufijve tanë ujorë. Por, ja që ‘plaku i rrjedhur’ në gjuhën e PD-së, kishte më shumë vlera profesionale sesa gjithë eksponentët e qeverisë dhe maxhorancës të marrë së bashku. Që maxhorancën e ka zënë meraku për të zëvendësuar një trupë të tërë gjyqësore që nuk po i shkon për shtat vendimeve të saj, kjo tashmë është fare e qartë dhe e padiskutueshme. Por, që ky artikulim i eksponentëve të maxhorancës, i deklaruar publikisht dhe me njoftime shtypi, shkon në dëm të interesave të vendit, për këtë pakkush mendon. Nuk ka raport të shkruar të Komisionit Evropian për Shqipërinë që nuk e vendos pavarësinë e gjyqësorit si prioritet mes prioriteteve. Nuk ka deklaratë të qeverisë shqiptare, që po këtë pavarësi të gjyqësorit nuk e artikulon të parën. Por, ja që në këtë moment gjërat nuk janë kaq bardh e zi. Duhet përmendur fakti se marrëdhëniet e kësaj maxhorance me Gjykatën Kushtetuese, sidomos këto vitet e fundit, kanë qenë totalisht të nxira. Dhe, këtu nuk bëhet fjalë për eksponentë të veçantë të saj, por për gjithë trupën e gjyqtarëve të zgjedhur. Janë dhjetëra projekte të qeverisë, të shpallura si antikushtetuese nga kjo gjykatë, dhe ky fakt i tmerron anëtarët e maxhorancës. Të thuash se do të zbatosh vendimin e Gjykatës Kushtetuese është një shembull pozitiv, por t’u thuash anëtarëve të kësaj gjykate se; “do të shihni ju se ç’do t’u bëjmë sa t’ju mbarojë mandati”, ky është një kërcënim i hapur. E çfarë ndryshimi ka kërcënimi i atij kriminelit ordiner që nxjerr pistoletën në rrugë kundër çdokujt që i zë rrugën, me kërcënimin e maxhorancës se do të merret seriozisht me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese? Qartazi, duket se nuk ka ndryshim. Krimi ordiner ka mjetet e veta, politika të sajat... por qëllimi mbetet i njëjtë për të dy. është momenti që shoqëria, OJQ-të, mediat, institucione të tjera të pavarura, KLD-ja, Presidenti i Republikës, të ngrenë zërin në mbrojtje të atyre gjyqtarëve që në themel të punës kanë vetëm Kushtetutën. Nuk ka shtet të konsoliduar demokratik, kur gjyqtarët e ndiejnë veten si njerëzit më të kërcënuar nga politika. Nuk do të kemi integrim evropian, nëse do të flasim përditë për një pushtet gjyqësor të korruptuar. E në fund, nuk do jemi të besueshëm për partnerët tanë ndërkombëtarë, kur kemi humbur besimin brenda nesh. (GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›