E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci”, Gjykata "liron" ish-përgjegjësin e fabrikës

TIRANE-“Detyrim paraqitje”, është masa që Gjykata e Tiranes dha sot për Veiz Mucën, ish pergjegjësi i fabrikes së demontimit në Gërdec i arrestuar 3 ditë më parë në korridoret e kesaj gjykate nën pretendimin se dha dëshmi të rreme. Për trupin gjykues arrestimi i tij për dëshmi të rreme ishte i paligjshem. I thirrur për të dëshmuar në procesin penal ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e 15 marsit 2008, Veiz Muço që thirrej nga të gjithë ish-punonjësit e fabrikës me emrin “Vangjel”, ka tentuar t’u devijojë të gjitha thënieve të tij dhënë para hetuesve, me qëllim që të lehtësonte pozitën e të pandehurve. Ai tha në sallën e gjyqit, se në fabrikën e Gërdecit nuk ka pasur të punësuar fëmijë, si dhe karrocat nuk saldoheshin nga i ndjeri Qemal Deliu, por nga një saldator i jashtëm. Në një kohë që hetuesve u kishte thënë krejt të kundërtën, sikurse u vërtetua gjatë leximit të tre procesverbaleve të marrjes së tij në pyetje gjatë hetimeve paraprake. Arrestimi i Veiz Muços është bërë para syve të shtatë dëshmitarëve të tjerë, të cilët prisnin për t’u rrëfyer në sallën e gjyqit. Avokatët kërkuan që seanca të mos vazhdonte, pasi asnjëri prej dëshmitarëve nuk do të mund të fliste i lirë pas asaj çfarë kishte ndodhur. Arrestimi i Veizit ishte i pari i këtij lloji në këtë proces të madh. Tragjedia e Gërdecit po shqyrtohet e ndarë në pjesë. Gjyqi më i madh po bëhet në Shkallën e Parë me plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve, të vetmit nën arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit, ku 15 kilomera nga Tirana shprëtheu një fabrikë ku cmontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetra banesa e biznese të shkatërruara. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›