E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët denoncojnë qeverinë në Kushtetuese

Beteja e gjyqtarëve me
qeverinë dhe në veçanti
me ministrin Enkelejd Alibeaj,
dje është spostuar në
sallën e Gjykatës Kushtetuese.
Shoqata e Gjyqtarëve ka kërkuar
para Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin
si të papajtueshme me
Kushtetutën të ligjit për organizimin
e Konferencës Gjyqësore.
Shoqata e Gjyqtarëve është përfaqësuar
dje para trupit të institucionit
që interpreton ligjin
themeltar të shtetit me gjyqtarin
Klodian Rado dhe avokatin
Vangjel Kosta. Ata kanë kërkuar
para Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin
e të gjithë ligjit, duke u
mbështetur në dy argumente
themelore: argumenti i parë ishte
se ky ligj është miratuar me një
shumicë të thjeshtë parlamentare,
në një kohë që duhej të ishte
miratuar me shumicë të cilësuar,
pasi Konferenca Gjyqësore
është organ i përmendur nga
Kushtetuta, në kreun e saj
"Gjykatat"; argumenti i dytë ishte
se ligji në thelbin e vet prek
pavarësinë e pushtetit gjyqësor
dhe nuk përfaqëson vullnetin e
gjithë gjyqtarëve. Rado, në fjalën
e tij, theksoi se pjesëmarrja në
Konferencën Gjyqësore e
anëtarëve të administratës gjyqësore
lejon mundësimin e ndikimit
të ekzekutivit mbi pushtetin e
pavarur të gjyqësorit. Ai ka
kërkuar si pretendim shtesë para
Gjykatës Kushtetuese, pezullimin
e këtij ligji, deri në vendimin
përfundimtar të Gjykatës
Kushtetuese. Ndërsa përfaqësuesi
i Kuvendit, Lulzim Lelçaj,
deklaroi se nuk ishte dakord me
faktin se kjo shoqatë legjitimohet
dhe vë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese
dhe madje ka kërkuar nga
Gjykata Kushtetuese të rishikojë
jurisprudencën e saj mbi çështjen
e legjitimimit. Ai nuk e ka
quajtur ligjin si antikushtetueses
dhe ka deklaruar se mungesa e tij,
në rast të shpalljes antikushtetues
të këtij ligji, do të krijonte
boshllëk ligjor. Ky pretendim është
kundërshtuar nga Shoqata e
Gjyqtarëve, me argumentin se
boshllëku ligjor nuk mund ta justifikojë
lejimin e ligjeve antikushtetuese
në legjislacion.
Përfaqësuesi i Konferencës
Gjyqësore, Alfred Meçe, i cili është
edhe kryetar i Gjykatës së Tiranës,
nuk ka pranuar të bëhet
pjesë e këtij debati, duke theksuar
se vetë pozicioni nuk e lejon
të shprehet as pro dhe as kundër
kërkesës, por ai i ka kërkuar
Gjykatës Kushtetuese të përshpejtojë
deri në dhënien e vendimit,
në mënyrë që Konferenca të
ketë mundësi ta vazhdojë e qetë
punën e saj. Pas përfundimit të
seancës dëgjimore, Shoqata e
Gjyqtarëve ka kërkuar shfuqizimin
e ligjit, kurse përfaqësuesi i
Kuvendit dhe Konferenca Gjyqësore
e lanë në dorën e lirë të
gjykatës. Gjykata Kushtetuese u
tërhoq për kërkesën e Shoqatës
së Gjyqtarëve për pezullim të
ligjit. Ndërsa gjykata nuk e ka
pranuar pezullimin e ligjit, derisa
të merret vendimi, por ka theksuar
se ligji duhet të qëndrojë në
fuqi, deri sa të shprehet Kushtetuesja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›