E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet 2009, Kryesia e PS "ndez motorët"

Një sërë çështjesh të karakterit organizativ
ishin objekt i mbledhjes së djeshme të
Kryesisë së partisë më të madhe të
opozitës. Socialistët mblodhën kupolën
drejtuese në orët e vona të darkës, në periferinë e
kryeqytetit, në Dajt, dhe diskutuan për më shumë
se një orë. Ata dhanë miratimin e tyre për fillimin e
fazës tjetër të turit të kryetarit
Edi Rama. Gjatë këtij
aksioni të ri do të prezantohet
edhe programi politik
i socialistëve. Kupola
drejtuese e Partisë Socialiste
vendosi edhe për
shndërrimin e të gjitha organizatave
socialiste në
shtabe të veçanta elektorale.
Teksa thelbi i të gjitha
lëvizjeve dhe vendimeve
ka lidhje me zgjedhjet e
ardhshme parlamentare
të vitit 2009. Mësohet se
ajo çka është përgatitur
deri më sot shkon në mbi
500 faqe kompjuterike dhe cilësohet si produkt i
veçantë në llojin e tij. Shtyllat kryesore të tij janë
edhe orientimet e politikave të socialistëve në një
rikthim të tyrin në qeverisje. Pas fazës së "Dialogut
me Shqipërinë", projekti politik do t‘u drejtohet sërish
qytetarëve. Këtë herë mësohet se një aksion do
të ndërmerret, por ndryshe nga hera e parë do të ketë
në qendër veprime konkrete dhe ide të cilat PS-ja
do t‘i vërë në jetë. Thënë ndryshe, socialistët do të
rrëfejnë para qytetarëve idetë e tyre për zgjidhjen e
problemeve, me të cilat ndeshet Shqipëria. Nga ky
tur takimesh, që mund të kurorëzohet edhe me tryeza
kombëtare për secilën nga shtyllat e projektit,
tentohet të merret edhe "informacioni" i fundit. Për
miratim kaloi edhe grafiku i anëtarëve të kryesisë,
të ngarkuar me drejtimin e organizimit elektoral në
qark e rreth. Përgjegjës për Qarkun e Tiranës është
deputeti Shpëtim Idrizi që mbulon Tiranën qytet,
rreth dhe Kavajën. Në Qarkun e Beratit (rrethet Berat,
Kuçovë, Skrapar do të ngarkohet deputeti Erjon
Braçe. Kryesia do të caktojë
të ngarkuar të saj në
Qarkun e Durrësit (rrethi
Durrës, Krujë) deputetin
Namik Dokle. Anëtari i
kryesisë, Pandeli Majko,
është përgjegjës për
Qarkun e Dibrës (rrethi
Dibër, Mat dhe Bulqizë).
Sa i takon Qarkut të Elbasanit
dhe konkretisht
në rrethet Elbasan, Librazhd,
Peqin dhe Gramsh,
është menduar deputetja
Valentina Leskaj.
Sakaq, Ermelinda Meksi
do të merret me pragfushatën
elektorale në Qarkun e Fierit (rrethi Fier, Lushnjë,
Mallakastër). Gramoz Ruçi do të kujdeset për
mbarëvajtjen e punëve në Qarkun e Gjirokastrës
(rrethet Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet). Ben
Blushi do të ketë nën monitorim zhvillimet pragelektorale
në Qarkun e Korçës (rrethet Korçë, Devoll,
Pogradec dhe Ersekë). Zëdhënësja e kryesisë së socialistëve,
Mimi Kodheli, do të merret me Qarkun e
Kukësit (rrethet Kukës, Tropojë, Has). Kujdestarja
për Qarkun e Lezhës do të jetë anëtarja e kryesisë,
Lindita Nikolla (rrethet Lezhë, Mirditë dhe Kurbin).
Arben Isaraj do të administrojë procesin në Qarkun
e Vlorës dhe Mimoza Hafizi atë të Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›