E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligjet që do të rishikohen në rast të fitores së PS-së në zgjedhje

Strategjia e re e selisë rozë për të rikuperuar ligjet e miratuara me forcën e kartonëve nga ana e PD-së. Kritikat e selisë rozë për ligjet e prodhuara nga maxhoranca aktuale

Shaban Sulçe

Në rast se Partia Socialiste do të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe do të ketë të drejtën e qeverisjes, ajo do të shfuqizojë pjesën më të madhe të ligjeve të miratuara deri tani nga maxhoranca dhe qeverisja aktuale. Arsyeja e zhvlerësimit të këtyre ligjeve është e lidhur me faktin se jo vetëm ato bien ndesh me Kushtetutën, por kundërshtojnë edhe njëra-tjetrën, duke shkaktuar kaos legjislativ. “Çdo ligj, që është antikushtetues, por edhe një seri vendimesh të Këshillit të Ministrave dhe aktesh nënligjore të qeverisë, që vazhdojnë të jenë në fuqi e që shkelin Kushtetutën dhe ligjet do të rishikohen nga ana jonë”, - tha kryetari i Komisionit të Ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani.

Ligjet antikushtetuese

Janë më shumë se 15 ligje të miratuara në Kuvend me forcën e numrave nga maxhoranca, por të denoncuara si antikushtetuese nga ana e Partisë Socialiste. Por po aq antikushtetues dhe pa fuqi juridike janë edhe më shumë se 1/3 e vendimeve të Këshillit të Ministrave. Ligjet antikushtetuese të miratuara nga maxhoranca lidhen kryesisht me sistemin e drejtësisë, por edhe me çështje të tjera thelbësore. Ndër ligjet kryesore antikushtetuese, të cilat pritet të rishikohen në rast se PS-ja fiton zgjedhjet, është ligji për konfliktin e interesave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ligji “Për Administratën Gjyqësore”, ligji “Për Noterinë”, ligji “Për Avokatinë” etj. Më tej lista e ligjeve antikushtetuese të miratuara nga maxhoranca vijon me ligjin “Për legalizimet dhe urbanizimet”, me ligjin për “Për mediat”, me ligjin “Për procedurat tatimore”, “Gjobat”. Me ligjin për miratimin e Aktit Normativ për Urbanistikën, me ligjin e Aktit Normativ për “Prefektin”, me ligjin për “Moratoriumin e Skafeve”, me ligjin “Për pronat”. Ligjet e tjera antikushtetuese, të cilësuara nga PS-ja, janë ligji “Për Auditimin e Brendshëm”, ligji “Për Arsimin e Lartë”, ligji “Për Akademinë e Shkencave”, për të përfunduar më pas me ligjin e shumëkontestuar për pastërtinë e figurave, apo siç njihet ndryshe, ligji për dosjet.

Kritikat

Për Partinë Socialiste një pjesë e konsiderueshme e ligjeve të miratuara nga maxhoranca, përveçse bien ndesh me Kushtetutën, janë edhe antidemokratike dhe pa fuqi juridike. Gjithashtu selia rozë ka piketuar edhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave dhe aktesh nënligjore, të cilat janë ende në fuqi, por që shkelin Kushtetutën dhe ligjet. Selia rozë gjykon se ligjet e prodhuara nga maxhoranca aktuale janë antidemokratike, pasi kanë lënë jashtë vendimarrjes mendimet e qytetarëve dhe grupeve të interesit, që në shumicën e rasteve kanë qenë të përjashtuar nga hartimi i ligjeve. Partia Socialiste ka shprehur gjithashtu shqetësimin për miratimin e ligjeve në fjalë, të cilat jo vetëm që nuk kanë evituar konfliktet sociale, por i kanë thelluar ndjeshëm ato, madje duke krijuar edhe tensione të reja. Legjislacioni i miratuar nga qeveria “Berisha” konsiderohet gjithashtu si një legjislacion delitant dhe larg standarteve profesionale, duke qenë se ligjet dhe VKM-të e qeverisë kanë pësuar ndryshim të vazhdueshëm, në periudha të shkurtra kohore. Selia rozë kritikon ligjet e qeverisë dhe të maxhorancës, duke i cilësuar ato si të pazbatueshme si dhe të hartuara për t’u përshtatur me interesat korruptive dhe grupimeve monopol të lidhura me qeverinë. Partia Socialiste ka kritikuar gjithashtu qeverinë “Berisha” se me anë të ligjeve të posaçme dhe me anë të VKM-ve ka anashkaluar Kuvendin dhe gjykatat, duke shkaktuar kaos legjislativ.

Tabelë

Ligjet më të kontestuara

1-Ligji për konfliktin e interesave në Këshillin e Lartë të Drejtësisë
2-Ligji për Administratën Gjyqësore
3-Ligji për Noterinë
4-Ligji për Avokatinë
5-Ligji për legalizimet dhe urbanizimet
6-Ligji për mediat
7-Ligji për procedurat tatimore, gjobat
8-Ligji për miratimin e Aktit Normativ për Urbanistikën
9-Ligji për miratimin e Aktit Normativ për “Prefektin”
10-Ligji për Moratoriumin e Skafeve
11-Ligji për pronat
12-Ligji për Auditimin e Brendshëm
13-Ligji për Arsimin e Lartë
14-Ligji për Akademinë e Shkencave
15-Ligji për dosjet

Shifra

2924 është numri i vendimeve të Këshillit të Ministrave të marra gjatë periudhës 2006-2009
1010 është numri i vendimeve të Këshillit të Ministrave të konsideruara nga PS-ja pa fuqi juridike
34.5% e vendimeve të Këshillit të Ministrave nuk janë botuar ende në Fletoren Zyrtare

28 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›