E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët e "Delijorgjit" çohen në Kushtetuese

Këshilli i Lartë i Drejtësisë do
të "apelojë" vendimin e
Gjykatës së Lartë që riktheu
në punë tre gjyqtarët
që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit,
nën akuzën e evazionit fiskal. Në një
prononcim për mediat, nënkryetari
i KLD-së, Kreshnik Spahiu, deklaroi
dje se do të ankimojë vendimin e
shkallës më të lartë të gjyqësorit, me
arsyetimin se ka shkelur Kushtetutën.
Spahiu shpreson në një reflektim
të Gjykatës Kushtetuese, e
cila të vendosë përfundimisht që tre
gjyqtarët të largohen nga detyra,
pasi i kanë shkaktuar një dëm prej
1.2 milionë USD, shtetit shqiptar,
me vendimin që kanë dhënë. Sipas
KLD-së, vendimi i Gjykatës së Lartë
që riktheu në punë tre gjyqtarët është
antikushtetues. Sipas tyre, arsyetimi
i Gjykatës së Lartë se KLD-ja
duhet të priste më parë një vendim
të kësaj gjykate dhe më pas të vendoste
për fatin e tyre është i palogjikshëm,
pasi në Kodin e Procedurës
Penale përcaktohet se në momentin
që Gjykata e Apelit vendos për
fatet e një dosjeje, atëherë vendimi
është i ekzekutueshëm.
Precedentët
"Kemi dy raste të njëjta për shkarkim
gjyqtarësh që kanë shkuar në
Gjykatën Kushtetuese. Gjykata
Kushtetuese, nëse vëren se ka një
dëm ndaj shtetit shqiptar, i jep të
drejtë KLD-së", deklarojnë burimet
nga Këshilli. Ata i referohen një vendimi
të Gjykatës Kushtetuese për
largimin nga detyra të gjyqtarit të
Gjykatës së Tiranës, Ardian Kalija. Në
atë rast, Gjykata e Lartë kishte vendosur
rikthimin në punë të gjyqtarit,
megjithëse KLD-ja kishte dhënë
vendimin se gjyqtari duhet të shkarkohej.
Dosja shkoi në Gjykatën
Kushtetuese dhe kjo gjykatë i dha të
drejtë KLD-së se kishte vepruar duke
u bazuar te ligjet e shtetit shqiptar.
Pikërisht ky rast edhe një tjetër precedent
do të përdoren nga KLD-ja si
argumente që Gjykata Kushtetuese
të rrëzojë Gjykatën e Lartë për tre
gjyqtarët që i dhanë pafajësi Mihal
Delijorgjit, për veprën penale të
evazionit fiskal. Ndërkohë, Delijorgji
tashmë është i arrestuar si një nga
shkaktarët e tragjedisë së Gërdecit.
Shkelja
Burime nga Këshilli i Lartë i
Drejtësisë deklarojnë se argumenti
tjetër për shkarkimin e tre
gjyqtarëve të Delijorgjit është se
Gjykata e Lartë ka gabuar në radhën
e çështjeve që presin të gjykohen.
"Gjykata e Lartë kishte dy vjet që
nuk gjykonte dosjen Delijorgji, pas
vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës,
e cila pushoi akuzën ndaj tij. Në
këtë kohë, çështjes nuk i ka ardhur
radha për t‘u gjykuar. Ndërkohë,
çështjen e shkarkimit të gjyqtarëve
të kësaj çështjeje, Gjykata e Lartë e
mori për shqyrtim brenda dy muajve",
deklarojnë burimet zyrtare nga
KLD-ja. Sipas tyre, Gjykata e Lartë ka
shkelur edhe radhën në gjykim,
duke përbërë një precedent të rrezikshëm
për drejtësinë shqiptare.
Pra, vendimi i Gjykatës së Apelit
Durrës për dosjen "Delijorgji" është
dhënë në muajin dhjetor të vitit
2007. Megjithëse çështja u
"ankimua" në Gjykatën e Lartë, kjo
gjykatë nuk e mori në shqyrtim.
Mësohet se edhe sot e kësaj dite
çështja pret gjykimin. KLD-ja thotë
se vendimi i saj që largoi nga detyra
tre gjyqtarët e Apelit Durrës është
dhënë në muajin tetor të vitit të kaluar.
Gjyqtarët e dërguan vendimin në
Gjykatën e Lartë dhe kjo gjykatë e
mori në shqyrtim kërkesën e tyre
brenda dy muajve, duke "harruar"
shqyrtimin e çështjes së parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›