E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni, kapet “i fundit” i “Lagunës”



Të destinuar të bien në grackën e policisë, për shkak të të dashurave të tyre. Të njëjtin fat si kapoja i tij ka pasur edhe Arjan Aliçaj, i njohur si pjesëtar i “Bandës së Lushnjes”, në të njëjtën kohë dhe i cilësuar si i fundit i “Lagunës”. Për kapjen e tij, policisë i janë dashur plot 25 ditë, ndërkohë që sipas burimeve policore, gjithçka u bë e mundur falë “tradhtisë” së të dashurës së 46-vjeçarit, e cila shkonte e takonte shpesh në banesën ku strehohej në Tiranë. Gjithçka u bë e mundur pas një periudhe 4-javore, ku punonjësit e policisë kishin nisur nga puna për arrestimin e të shumëkërkuarit. Sipas burimeve zyrtare policore, agjentët e policisë së Tiranës në bashkëpunim me ata të Fierit bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit të koduar “I fundit”. Aliçaj ishte shpallur në kërkim që në vitin 2006 nga drejtësia shqiptare. Sipas burimeve nga policia, gjetja e anëtarit të fundit të “Bandës së Lushnjes” u bë e mundur, pasi u përdor një person shumë i afërt i tij, (e dashura). Agjentët e fshehtë ndiqnin çdo veprim të saj dhe në këtë mënyrë arritën deri tek Aliçaj, të cilin më pas e vunë në pranga. Ndalimi i tij, bënë të ditur burimet, është bërë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21 prill 2006 ka nxjerrë masën e sigurimit “arrest me burg”, i akuzuar për veprat penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale”, “kryerjes së veprave penale nga organizata kriminale”, “vjedhjes me dhunë”, “dhunimit të varreve”.

Premçi: 25 ditë për të kapur Aliçaj

Për finalizimin me sukses të këtij operacioni kontaktuam në linjë telefonike me drejtorin e policisë së Fierit, Shemsi Premçi. Sipas tij, policia kishte një kohë të gjatë që po punonte për të kapur të shumëkërkuarin e “Bandës së Lushnjes”, i cili akuzohet për nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, për një sërë krimesh të rënda në kuadër të bandës kriminale. “Agjentët kishin rreth 25 ditë që kishin filluar nga puna për kapjen e të shumëkërkuarit. Aliçaj fshihej në një banesë, në një apartament në lagjen “Avni Rustemi” të kryeqytetit”, - u shpreh drejtori Premçi, duke shtuar se “natën e operacionit, i kërkuari është parë të dalë nga banesa në orët e vona të mbrëmjes. Gjatë kësaj kohe, shërbimet e policisë së Fierit në bashkëpunim me ato të Tiranës kishin bërë rrethimin e zonës dhe ishin gati për të kryer ndalimin e të fundit të “Bandës së Lushnjës”. Kur Aliçaj ka dalë nga banesa, punonjësit e shërbimit kanë ndërhyrë menjëherë, duke kryer edhe arrestimin e të shumëkërkuarit. Ndërhyrja e punonjësve të policisë ka qenë e shpejtë, duke mos i dhënë asnjë mundësi të shumëkërkuarit që të vepronte. Atij i janë vënë prangat dhe është shoqëruar menjëherë për në qelitë e burgut”. Operacioni i koduar “I fundit” ishte pjesë e operacionit “Laguna”, për arrestimin e anëtarëve të bandës kriminale të Lushnjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›