Rëndësia e ndëshkimit të krimeve të komunizmit
Nga Adrian Kati*
Domosdoshmëria e një strategjie kombëtare për integrimin e viktimave të torturës komuniste është një nga prioritetet e QSHRT-së si vazhdimësi angazhimi për dekomunistizimin e vendit.
Gjatë 45 viteve të diktaturës jetuam nën një persekutim mizor, me vrasje, tortura, burgosje, internime, dëbime, plaçkitje, denigrim, mohim të të drejtave civile etj, nga një grup njerëzish të vënë në shërbim të së keqes dhe nën vështrimin e një popullate të terrorizuar nga frika dhe e mbikëqyrur nga strukturat hoxhiste.
Në kushtet kur e kaluara totalitare la prapa mbi 200.000 të dhunuar politikë, rreth 48.000 prej tyre zyrtarisht sot quhen të përndjekur politikë, prej vitit 1993. Por as pafajësia e dhënë nga Parlamenti i parë pluralist dhe as një numër aktesh ligjore e nënligjore që shoqëruan statusin e vitit 1993, nuk arritën edhe pas 18 vjetësh të realizonin dekomunistizimin e vendit dhe integrimin e viktimave të komunizmit.
Gjatë këtyre viteve, QSHRT-ja është përpjekur të japë kontributin e saj në këtë poçes, duke ndihmuar me aktivitetet e saj mbi 10.000 të përndjekur. Shërbimet tona kanë afruar asistencë sociale, psikologjike dhe mjekësore. Mbi 100 intervista të dokumentuara në video dhe qindra audio përmbajnë dëshmi dhe fakte për torturën komuniste, ndërkohë që QSHRT-ja u ka dhënë zë këtyre dëshmive në mbi 100 aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare dhe në rreth 30 tituj librash dhe revistash. 2 filma me metrazh të shkurtër së bashku me një numër ekspozitash kanë paraqitur shkatërrimin gjenetik të kombit në kërkim të njeriut të ri komunist.
Raportet vjetore të QSHRT-së për situatën e torturës në Shqipëri paraqesin mosdënimin e krimit komunist dhe situatën reale të viktimave të torturës. Ne kemi mbështetur propozime të ndryshme nga shoqata dhe individë për aktivitete promovuese dhe përkujtimore. Së fundmi, prej disa muajsh ne jemi duke mbështetur nismën e ish-të burgosurit politik, S. Maloku, dhe një numri qytetarësh të cilët rrëzuan statujën e diktatorit, për ta shpallur 20 shkurtin, duke marrë përkrahje nga individë, shoqata dhe parti si dhe Presidenti i Republikës, Ditën e Rrëzimit të Simboleve Komuniste, duke parë ngurrimin për dënimin e veprës së diktatorit komunist më mizor në Ballkan, siç kërkohet dhe në rezolutën e datës 30.10. 2006 të Parlamentit shqiptar.
QSHRT-ja është e ndërgjegjshme se ngjarje të tjera, shumë të rëndësishme, si kryengritja e Malësisë së Madhe, e para në Evropë kundër sistemit komunist, persekutimi i katolicizmit, kryengritjet e Spaçit dhe të Qafë-Barit etj. meritojnë të jenë në Olimpin e kujtesës sonë kombëtare si dhe vlerave ndërkombëtare të luftës kundër totalitarizmit komunist.
Gjatë këtyre viteve të tranzicionit kuptimi i dekomunistizimit është mjaftuar vetëm duke e konsideruar prioritet lustracionin dhe në 18 vjetet e fundit spiunët ose bashkëpunëtorët kanë qenë tema e preferuar mediatike, ku përgjithësisht krimi komunist u faturohej atyre.
Pak fakte: Diktatori Hoxha e niste ditën e punës me leximin e mbi 20 letrave që i vinin çdo ditë nga e gjithë Shqipëria. Sipas të dhënave, rreth 5000 letra denoncuese sulmonin çdo vit KQPPSH-në. Zoti Nano, në sallën e Kongresit në vitin 2005 prononcohet: “Duan të na e marrin pushtetin një grup pronarësh tokash dhe të persekutuarish politikë - bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit”. Ndërsa zonja diktatore në 2008-n, në fjalën e saj programatike për ish-komunistët etj. rekomandon: “Hapni dosjet e të persekutuarve të gjeni aty krimet”. U bënë tashmë vite që bashkëshortet e operativëve kanë privatizuar dyqanet e qendrave të qyteteve, ndjekur më vonë nga sigurimsat, “strehuesit”, të cilët më vonë privatizuan apartamentet e punës të Sigurimit ku në shumë raste gjykatat nxorën me forcë të përndjekurit politikë duke i lënë në rrugë. Pretendohet se regjimi totalitar mbante dokumentacione të sakta. Pyesim: “Si është e mundur që për kryekriminelin Aranit Çela, i cili çdo ditë vazhdon të na sfidojë i qetë në qendrën e Tiranës, nuk gjendet asnjë dokument për krimet e tij të panumërta në arshiva?! Dhe sipas tij, janë bashkëpunëtorët e persekutuar iniciuesit e krimeve. Për QSHRT-në, dosjet e Sigurimit janë të dala nga makinat e tij të shkrimit, sipas platformës së Sigurimit të Shtetit. Konventa kundër torturës ndalon kategorikisht përdorimin nga autoriteti shtetëror të dhunës për marrjen e informacionit dhe detyrimin e individit për të pohuar çdo manipulim të mundshëm të informacionit. Kjo vepër quhet “torturë”.
Nga rekomandimet e dhëna për Shqipërinë nga z. Kollumberg, Lordi Finseberg dhe z. Rafi në vitin 1996 duhet të kujtojmë:
1. Mundësia e dosjeve të pasakta dhe të falsifikuara nga sigurimi;
2. Mundësia e personave që kanë vepruar të detyruar.
Statusi i të përndjekurit politik më 1993 bazuar mbi ligjin 7748 neni 5(b) përcakton: Nuk e përfitojnë të drejtën e këtij statuti bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, dëshmitarët e gjyqeve politike, aktiviteti i të cilëve ka çuar direkt në krime, si vrasje, burgime, internime, dëbime etj.
Në rekomandimet e asamblesë së KE-së rekomandohen veprimet institucionale me qëllim dhënien e mbështetjes, mirëkuptimit dhe mirënjohjes ndaj të gjithë atyre që preken nga këto krime
Duke parë ngurrimin në dënimin e veprës diktatorit Hoxha,ne mendojmë se dita e rrëzimit të monumentit të Hoxhës nga populli demokrat, gërshetuar me të persekutuarit politikë, të shërbejë si nismë për dënimin e diktatorit komunist më çnjerëzor në Ballkan, siç ka kërkuar dhe rezoluta e Parlamentit shqiptar datë 30.10.2006. Do të dëshiroja për ketë nismë ligjore të kisha dhe mirëkuptimin tuaj.
Disidenti i madh polak, Adam Mishnik, u është drejtuar deputetëve të djathtë: “Si është e mundur që ne të mbështetemi në materialet e policisë sekrete komuniste?!. Ligji i lustracionit dhe krijimi i Institutit për Krimet e Komunizmit duhen zbatuar sipas konventave dhe shtetit ligjor. Ne jemi për hapje të kontrolluar të dosjeve të Sigurimit. Propozimi i socialistëve për hapje totale të dosjeve, siç i ka formatuar Sigurimi i Shtetit është politikë të Institutit të ML-së.
Domosdoshmëria e një strategjie kombëtare për integrimin e viktimave të torturës komuniste është një nga rekomandimet parësore të QSHRT-së, pasi ka mbi 13 vjet angazhim në kërkim të dekomunistizimit të vendit. Në fakt, ky plan nuk është asgjë tjetër veçse një kërkesë legjitime për të garantuar dhe zbatuar të drejtat tona. Latinët shprehen: “Padituria është ligj kur ne nuk njohim të drejtat tona”.
Emergjenca e një strategjie kombëtare për integrimin e viktimave të torturës komuniste është e lidhur ngushtë me gjendjen e tyre mjeko-sociale, ekonomike dhe politike. Ajo ndërtohet mbi korniza ligjore që garantojnë të drejtat dhe mbi angazhime politike që mundësojnë këto të drejta.
Në themel të konventave ndërkombëtare, si evropiane dhe të OKB-së, flitet që viktimat e torturës duhet të kenë gjendjen e tyre të mëparshme, ndërsa në Kushtetutën tonë neni 22 sanksionon: “Kush dëmton, zhdëmton, dhe konkretisht, dëmtimi për ne vjen nga shteti komunist. Shtetit demokratik shqiptar i takon detyra e zhdëmtimit. Kuadri ligjor themelor i Republikës sonë në vija të përgjithshme nuk paraqet ndonjë mospërputhje me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në instrumentet përkatëse të së drejtës për garantimin e të drejtave të individit.
Një numër i gjatë ligjesh për dekomunistizim dhe lustracion janë aprovuar gjatë këtyre viteve. Lista është e gjatë, por problemi qëndron se sa janë respektuar këto angazhime politike dhe juridike të ligjvënësve tanë? Dukshëm vihet re nevoja e plotësimit dhe rishikimit të legjislacionit parësor me akte ligjore dhe nënligjore. Integrimi në BE dhe anëtarësimi në NATO kërkon progres intensive në vendosjen e standardeve e respektimin e tyre. Prania e znj. Fialkova, ambasadore e Republikës Çeke, vend që aktualisht mban presidencën e BE-së, e konfirmon këtë realitet të ri. Është Republika Çeke e cila rihapi debatin evropian për ndarjen nga e kaluara komuniste dhe dënimin e krimeve respektive. Për një kohë të gjatë ne së bashku i jemi drejtuar opinionit publik dhe institucioneve të shtetit shqiptar, duke kërkuar ndarjen nga e shkuara komuniste dhe dënimin e krimeve sepse vetëm kështu mund t’i japim vendit një të ardhme të sigurt demokratike dhe evropiane. Ne nuk mund të ecim me iniciativa propagandistike dhe vendime që mbeten në letër. Të dhunuarit gjatë regjimit komunist, ish-të përndjekurit apo ish-të persekutuarit politikë, me vendosjen e pluralizmit në vitin 1991 morën pafajësinë, e cila në vitin 1993 u shoqërua me statusin përkatës dhe një numër ligjesh dhe aktesh nënligjore për integrim sa më të shpejtë. Sot realiteti tregon dukshëm se demokracia shqiptare ende nuk është në gjendje të rehabilitojë e integrojë plotësisht viktimat e komunizmit.
Çfarë statusi kanë viktimat e komunizmit në Shqipëri? Kjo pyetje meriton vëmendje, fakte, statistika dhe analizë. Siç duket, topi ka ngelur në fushën tonë, për të propozuar rishikimin e legjislacionit të brendshëm bazuar mbi konventat ndërkombëtare, sidomos ato mbi parandalimin e torturës. Pra, na duhet një status i ri juridik: statusi i të mbijetuarit nga tortura. Askush nuk mund ta vërë në dyshim që goditja e diktaturës mbi ne ishte torturë. Paketa më e rëndësishme e të drejtave përbëhet nga:
a. Rehabilitimi moral: e drejta për të zgjedhur [qytetarë të ndershëm dhe jo me të kaluar të korruptuar politikisht]; e drejta për një proces të drejtë gjyqësor [nga profesionistë dhe jo nga ish-prokurorë të RPSSH-së]; e drejta për t’u përfaqësuar [në struktura vendimmarrëse dhe institucione demokratike që respektojnë të drejtën individuale të shprehjes]; e drejta për mosdiskriminim në arsim.
Evidentimi i plotë i dëmit komunist është detyra emergjente e institutit që do të strukturohet. Protagonistët e krimeve duhet të listohen e botohen sipas parimit: kush ka dëmtuar direkt. Dosjet e gjykatave janë materiale bazë. Ne përshëndesim Shkodrën për iniciativën e tyre të dëshmive.
b. Rehabilitimin material: rinjohje të pronës [së konfiskuar/ sekuestruar], kompensim fizik të pasurisë së paluajtshme të familjes; e drejta për kompensim financiar ndaj kohës në burg sipas standardeve evropiane; e drejta për të përfituar nga skemat financuese shtetërore ose private për shkak të pamundësisë për kualifikim dhe/ose punësim; e drejta për të përfituar ndihmë ligjore; rikthimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të konfiskuara apo sekuestruara gjatë arrestimeve apo vendimeve/dënimeve gjyqësore arbitrare prej vitesh është ndalur. Ne kërkojmë në dobi të zgjidhjes së këtij procesi, krijimin e Regjistrit Kombëtar të Sekuestrimeve dhe Konfiskimeve.
c- Rehabilitim mjekësor: e drejta për të përfituar nga skema të rehabilitimit shëndetësor [psikik dhe fizik] pa pagesë në institucionet përkatëse publike; e drejta për të përfituar nga skema financiare publike/private për rimbursimin e barnave që kurojnë sëmundjet e viktimave të torturës dhe keqtrajtimeve të regjimit komunist.
*Fjala në konventën e dytë kombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit