Gjyqtarët festuan pranë familjeve dhe jo jashtë vendit
05/01/2005 TIRANË – Makinat luksoze dhe paratë nuk i kanë "gënjyer" gjyqtarët të bëjnë udhëtime të gjata për të kaluar "ndyshe" natën e ndërrimit të viteve. Pothuajse të gjithë gjyqtarët, si ata të Shkallës së Parë dhe ata që bëjnë pjesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e kaluan natën e Vitit të Ri pranë familjeve të tyre. Ky vit për ta ishte ndryshe nga të tjerët. Shumica e gjyqtarëve nuk ka preferuar të bëjë udhëtime jashtë vendit, por kanë qëndruar në shtëpitë e tyre. Të paktë në numër janë gjyqtarët që kanë kaluar natën e ndërrimit të viteve në Mal të Zi apo në Maqedoni. Një pjesë e gjyqtarëve të pyetur për këtë fakt, janë shprehur se kanë preferuar lokalet dhe një pjesë tjetër kanë preferuar ta kalojnë në shtëpi me fëmijët. Pas orës 12.00 të gjithë shprehen se i janë drejtuar lokaleve për të ndryshuar ambient. Edhe pse kanë patur të ardhura të mira, gjyqtarët nuk i janë larguar traditës shqiptare. Të gjithë thonë se kanë shijuar gjelin e detit dhe bakllavanë, dy gatime tradicionale. Dy gjyqtarë, edhe ditët e festave të Vitit të Ri kanë qëndruar në gatishmëri. Si në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ashtu dhe në atë të Shkallës së Parë, ka patur masa arresti dhe dy gjyqtarë nuk kanë bërë pushim. Gjyqtarët e Krimeve të Rënda e lanë punën në datën 24 dhjetor dhe sot ata fillojnë nga gjyqet. Ndërkohë që gjyqtarët e Shkallës së Parë punuan deri në datën 30 dhjetor. Për Krimet e Rënda nuk do të ketë ndërprerje të gjyqeve, që shkaktohet nga mbartja e dosjeve. Kjo gjë ndodh në Shkallën e Parë të gjykimit. Duke qenë se numri i dosjeve në këtë gjykatë është tepër i madh, bëhet kalimi i tyre për këtë vit. Por regjistrimi i numrave të tyre kërkon kohë. Kështu, ndërsa puna fillon në datën 5 janar, gjyqet do të bëhen rregullisht pas datës 15 janar.