E Hënë, 2 Nëntor 2026

Junta greke me kodin "Golden Rod" tw NATO-s kunder Shqiperise

05/01/2005  

Junta greke me kodin “Golden Rod” të NATO-s kundër Shqipërisë

Pse Tirana i trembej ndonjë konflikti më të gjerë në Ballkan? Cilat ishin synimet e zbulimit shqiptar ndaj grekëve? Kur e mendonte qeveria greke se mund të ishte momenti i favorshëm për të ndërhyrë ndaj ndonjë kërcënimi serioz të Shqipërisë?

NATO vendos forcat ushtarake në territoret greke.

“Marrëdhëniet shqiptaro-greke gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë përbëjnë një ndër problemet e rëndësishme të historiografisë sonë, ende të pastudiuara. Pikërisht, kjo ka qenë arsyeja kryesore që më ka nxitur për t’i hyrë studimit të tyre, me shpresën se ky kontribut mund t’i shërbente inteligjencës, studentëve dhe lexuesit të gjerë shqiptar”, tregon historiani Beqir Meta në librin e tij.

Botimi “Shqipëria dhe Greqia” (1949-1990), që i paraqitet lexuesit është rezultat i punës kërkimore të Metës në bibliotekat e Shqipërisë, Greqisë, SHBA, Britanisë së Madhe, Turqisë e Bullgarisë dhe në arkivat shqiptare, amerikane e britanike. Ai është vazhdim i studimit të mëparshëm me titull: Tensioni greko-shqiptar 1939-1949, botuar në vitin 2002. Në qendër të këtij botimi është situata e krijuar midis Greqisë e Shqipërisë gjatë periudhës më të gjatë të Luftës së Ftohtë, tendencat e zhvillimit të saj, përpjekjet, vështirësitë, dështimet dhe progresi që u bë për normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Janë pasqyruar faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, që ndikuan në këtë proces si dhe rezultatet historike të tij.

Qeveria shqiptare mendonte se, edhe në këtë situatë, “preokupimi kryesor i qeveritarëve grekë ishte 'Vorio-Epiri'”. Ajo u besonte të dhënave se qeveria greke nuk do ta shtronte këtë problem në situatën aktuale dhe, se po të mos kishte komplikacione të tjera, ajo do ta linte atë në heshtje, sigurisht duke vëzhguar me imtësi situatën. Tirana i trembej më shumë ndonjë konflikti më të gjerë në Ballkan, i cili do të nxiste direkt ndërhyrjen e grekëve në Shqipëri. Zbulimi shqiptar kishte informuar se qarqet ushtarake greke e vlerësonin forcën ushtarake sulmuese të Shqipërisë si të parëndësishme, ndërsa disa oficerë të lartë të zbulimit grek mendonin se, në kompleks, ushtria shqiptare kishte një kapacitet të lartë rezistence. MPJ e Shqipërisë ishte informuar se tani, qarqet qeveritare greke mendonin që, nga pikëpamja ushtarake, Shqipëria nuk paraqiste ndonjë rrezik për Greqinë. Ata tani e konsideronin atë më tepër si një bazë ideologjike të Kinës, e cila, në rastin e ndonjë konflikti të përgjithshëm, do të okupohej nga rusët ose nga amerikanët. Kështu, për momentin, qeveria greke nuk e shikonte oportune të shkaktonte incidente kufitare me Shqipërinë. Por në rastin e ndonjë kërcënimi serioz të Shqipërisë nga një fuqi tjetër, i cili do të rrezikonte edhe “zonat strategjike greke”, (me të cilat grekët kishin parasysh Shqipërinë e Jugut), atëherë Greqia do të ndërhynte në Shqipëri me qëllim që të siguronte të paktën realizimin e marrëveshjes së Korfuzit të vitit 1914 për “autonominë e Vorio-Epirit”. Të gjitha këto vlerësime e shtynë MPJ të përcaktonte se, në këtë periudhë, qëndrimi i qeverisë shqiptare ndaj Greqisë do të mbetej ai që kishte qenë. Ajo “nuk synonte të merrte asnjë iniciativë në drejtim të saj”.

Ndërsa qeveria greke mendonte se momenti i krijuar ishte i përshtatshëm për afrimin greko-shqiptar. Por ajo nuk mendonte të hiqte dorë nga pretendimet territoriale për hir të këtij përmirësimi të marrëdhënieve. Shefi i Seksionit Ballkanik në MPJ të Greqisë, u tha zyrtarëve të ambasadës amerikane se nuk përjashtohej mundësia e afrimit me shqiptarët. Sipas tij, ngjarjet e fundit në Çekosllovaki e kishin ndryshuar balancën politike në Ballkan. Shqipëria, e alarmuar nga lëvizjet ushtarake sovjetike, e shikon veten të kërcënuar si komb. Kështu që ajo do të përpiqet të sigurojë kufijtë e saj me Jugosllavinë e me Greqinë. Ai u tha amerikanëve se, kërcënimi kryesor vinte nga Jugosllavia, megjithëse dhe Greqia kishte pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, të cilat nuk mund të braktiseshin hapur. Sipas tij, ndonjë marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike do të bazohej në një lloj mirëkuptimi se, Greqia nuk hiqte dorë nga pretendimet e saj. Ky konstatim i grekëve ishte deridiku i saktë. Por ata shpejt do të kuptonin se qeveria shqiptare ishte e vendosur të mos u bënte asnjë lëshim pretendimeve të tyre territoriale. Këtë gjë e mësuan edhe amerikanët nëpërmjet italianëve. Zëvendësministri i Jashtëm i Shqipërisë i kishte thënë ambasadorit italian se, kishte disa shenja që flisnin për mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve me Greqinë, por “askush të mos mendojë se ne do të bëjmë koncensione”.

Nga ana e jashtme, Junta u përpoq të krijonte përshtypjen se po e kufizonte veprimtarinë e organizatave “vorio-epirote” kundër Shqipërisë. Ajo, fillimisht, nuk pranoi kërkesën e tyre për mbajtjen e Kongresit Panepirot në Janinë, nuk i lejoi ato të kryenin disa provokime të projektuara kundër Shqipërisë etj. Qeveria shqiptare e vlerësoi qëndrimin e Juntës ndaj organizatave “vorio-epirote” si një përpjekje të saj për t`i forcuar dhe për t`i vendosur nën kontrollin e vet ato, për t`i patur si rezervë kundër Shqipërisë, të gatshme në çdo moment. MPJ e Shqipërisë i bëri përshtypje veçanërisht përkujdesja e Juntës për riorganizimin e këtyre organizatave në qytete të ndryshme të Greqisë, si në Athinë, në Pire, në Korfuz, në Janinë etj., dhe vendosja në krye të tyre e disa oficerëve, që ishin besnikë të saj.

Shqetësime dhe dyshime të reja ngjalli te pala shqiptare stërvitja ushtarake e NATO-s, e koduar me emrin “Golden Rod” (Shufra e Artë), e cila u zhvillua në territorin grek në tetor të vitit 1968. Veçanërisht shqetësuese ishin informacionet se, komanda greke kishte parashikuar që, në një fazë të kësaj stërvitjeje të organizonte trupat “vorio-epirote” dhe refugjatët e tjerë për të kryer akte diversioniste në Shqipëri. Pas stabilizimit të Juntës, aty nga fundi i vitit 1968, udhëheqja shqiptare po konstatonte disa nuanca të reja të një qëndrimi armiqësor dhe provokues ndaj Shqipërisë. Të tilla vlerësoheshin fjalimet armiqësore dhe mbështetja e pretendimeve për aneksimin e Shqipërisë së Jugut në ceremoninë e varrimit të peshkopit Kotokos, në të cilën morën pjesë edhe qeveritarë grekë. Përshtypje negative la në Tiranë edhe deklarata e zëvendëskryeministrit grek D.Patilis mbi “vendosmërinë e grekëve për të mos hequr dorë nga aneksimi i “Epirit të Veriut”. Kjo ishte hera e parë që një zyrtar i Juntës greke e deklaronte hapur rivendikimin për Shqipërinë e Jugut, gjë të cilën s`e kishin bërë më parë në fjalimet e tyre as Kryeministri Papadhopullos dhe as ministri i Jashtëm, Pipinelis, i cili i ishte shmangur kësaj çështjeje në konferencat e shtypit dhe në deklaratat e ndryshme që kishte dhënë.

Situatën e komplikoi më tej fjalimi i ashpër mbi “Epirin e Veriut” i John Ladasit, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe një pjesëtar i vijës së fortë të Këshillit Revolucionar. Për më tepër, ky fjalim u mbajt në praninë e shumë anëtarëve të qeverisë dhe të Këshillit Revolucionar, gjë që i dha atij ngjyrën e një deklarate zyrtare.

Këshilltari i ambasadës jugosllave në Athinë, Gabriçeviç, u tha amerikanëve se ky fjalim kishte shkaktuar fillimisht alarm tek ambasadorët italianë, bullgarë etj. Ai shtoi se, edhe qeveria jugosllave ishte e alarmuar nga deklarata e Ladasit, sepse gjykonte që ajo do të ndikonte negativisht në të ardhmen për afrimin e Greqisë me Shqipërinë. Sipas tij, Beogradi besonte se zhvillimet e fundit në Shqipëri kishin krijuar një klimë të favorshme në Tiranë për restaurimin e marrëdhënieve me Greqinë. Por, kjo situatë dhe ky durim nuk do të zgjaste pafundësisht, pasi lëvizjet e palës shqiptare kishin ndeshur në qëndrimet e MPJ të Greqisë. Gabriçeviçi u tha amerikanëve se, qeveria e tij po i inkurajonte ato grekë, që favorizonin rivendosjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe mbështeste çdo kontakt të Tiranës me shtetet e tjera, me besimin se këto kontakte do të krijonin një stabilitet më të madh në Ballkan. Pikërisht për këtë arsye, qeveria jugosllave “kishte toleruar dhe injoruar propagandën e vazhdueshme provokative të Shqipërisë. Gjithashtu, Jugosllavia do të mirëpriste marrëdhëniet më të përzemërta me Tiranën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›